Për dallim nga hedhja e shortit të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian, Agim Ademi nuk dha premtime pas përcaktimit të grupeve në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kosova është përcaktuar të luaj Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve, ku për kundërshtarë ka Rumaninë, Qipron e Gjibraltarin.
I pari i FFK-së është shprehur optimist pas hedhjes së shortit, por nuk ka dhënë premtime për ta kaluar grupin, siç kishte thënë pas hedhjes së shortit për grupet e kualifikimeve për “Euro 2024”.
Ademi ka theksuar se skuadra është në formë të mirë dhe beson që me ndihmën e ndeshjeve miqësore të arrijë sukeses në ndeshjet e fazës së grupeve.
“Janë ekipe që i njohim dhe sigurisht që presim rezultate të mira. Duke pasur parasysh formën e futbollistëve dhe suksesin që ata po e tregojnë me ekipet e tyre jam optimist. Shpresoj që atë formë të mirë nga klubet ata ta transferojnë edhe në ekipin kombëtar dhe të dalim triumfues. Besoj në ekipin tonë dhe është mirë që para fillimit të edicionit të Ligës së Kombeve do t’i kemi katër ndeshje miqësore, në të cilat trajneri ynë i ardhshëm do të ketë mundësi ta krijojë ekipin që do të jetë fitues i këtij grupi. E njohim Rumaninë dhe e dimë si kemi kaluar atje. Por, ne do të fokusoehmi vetëm në ndeshje, gjërat tjera do t’i menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, natyrisht duke e pasur edhe kujdesin e UEFA-s”, ka thënë ai.