Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundshëm edhe pa njohjen zyrtare të Kosovës nga Serbia.
Abbott shtoi se Kosovës i duhet njohja nga vendet mosnjohëse të BE-së dhe NATO-s për të përparuar në rrugën e saj euro-atlantike, por jo domosdoshmërisht edhe njohja nga shteti serb.
“Po, mund të ketë normalizim. Nëse flasim për njohjen de-jure mund të nevojitet një kohë më e gjatë, kjo na kthen te pyetja se cili është motivi? Nëse e shohim se cilat janë motivet, çfarë nevojitet për të avancuar? Përshtypja ime është që nëse Kosova dëshiron të përparojë, duhet të jetë anëtare e paktit euro-atlantik, qoftë në NATO, ose ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në kuadër të kësaj nuk do të thotë që duhet patjetër të njiheni nga Serbia, por duhet të keni njohje nga ato vende të BE-së dhe NATO-s që nuk ju njohin”, tha Abbott në Rubikon.
Abbott shtoi se çështja është se a dëshiron Kosova që të presë njohjen de-jure nga Serbia dhe më pas të fokusohet në rrugëtimin e saj euro-atlantik, apo ta kthejë fokusin kah Perëndimi pa e pritur njohjen nga shteti serb.