Rahoveci, Obiliqi, Skënderaj, Suhareka, Kaçaniku, Shtimja, Malisheva, Dragashi, Ranillugu, Parteshi dhe Peja janë 11 komunat përfituese të grantit të performancës komunale në vlerë prej 8.3 milionë euro, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, tha se pikënisje për çfarëdo suksesi në rrugëtimin drejt BE-së është reformimi i administratës publike.
Bislimi derisa ka uruar të gjitha komunat që kanë dalë të parat në këtë vit, theksoi se në mënyrë që ky potencial të mos keqpërdoret është shumë me rendësi që gjatë zbatimit të grantit të performancës të ketë korrektësi në raportimin e zyrtarëve komunal.
“Nëse duam të avancojmë në rrugëtimin tonë drejt BE-së do të jetë shumë me rendësi që të jemi të suksesshëm e të vendosur në reformimin e administratës publike, të vendosur në thjeshtësimin e qasjes së qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet që kjo administratë ofron dhe një ulje të kostos, qoftë monetare apo në kohë në marrjen e këtyre shërbimeve…Kjo e bën grantin e përformancës politikisht shumë atraktiv për udhëheqësi të përgjegjshme komunale, por në të njejtën kohë edhe rrisin koston e mos interesimit të lidershipit komunal për kualitetin e administratës së tyre lokale. Në mënyrë që ky potencial të mos keqpërdoret është shumë me rendësi që gjatë zbatimit të grantit të përformancës të kemi korrektsi në tre rrafshe. Korrketësi në përcaktimin e kritereve të vlerësimit, korrektesi në raportimin e zyrtarëve komunal, dhe në vlerësim të sukesit të komunës. Poashtu të shihet edhe trendi në përformancën e komunave, a i kemi të njejtat komuna që në mënyrë të vazhdueshme dallojnë nga të tjerat në kualitet të qeverisjes, apo ndoshta gara është shumë më e barabartë siç duket dhe vit për vit shohim kryetar të rinj të cilët dallohen pak më shumë sesa kolegët e tyre. Në rastin e dytë qytetarët por edhe ne mund të ndihemi më të sigurtë në përzgjedhjet politike të cilat kemi bërë në rrafshin e komunave. Andaj, i bëj thirrje MAPL-së që të avancojë edhe më tej këtë sistem vlerësimi në mënyrë që në vazhdimësi të kemi një pasqyrë reale dhe garë të barabartë”, tha Bislimi.
Ndërsa, ministri i Administrimit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se ky grant mbështetet në ligjin përkatës të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Ceremonia e grantit të performancës është mbyllje e një procesi i cili përfshin raportim, kontroll dhe vlerësim gjithmonë objektiv, transparent dhe të paanshëm. Sot kur flasim për grantin e performancës, dua të rikujtoj se në vitin 2021 e gjetëm këtë grant të anuluar në qeveritë e mëhershme të cilat për më tepër kishin vlerësuar këtë grant vetëm në 4 milionë euro. Që nga vitit 2021 deri në vitin 2023 janë financuar mbi 143 projekte në mbështetje prej 20 milionë euro. Në vitin 2024 janë ndarë 8.3 milionë euro shtesë për projektet tjera, për më tepër tashmë ky plan bazohet në ligj të miratuar në Kuvendin e Kosovës… Ky rezultat shënon një arritje të rëndësishme në institucionalizimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit të menaxhimit të performancës komunale dhe vet granti përbën një hap të rëndësisishëm për të siguruar se të gjitha komunat operojnë bazuar në një kornizë, strukturë të njejtë…Të dhënat e performancës do të ndihmojnë për të identifikuar pabarazinë dhe sfidat, kështu komunat do të mund të zbatojnë politikat të cilat adresojnë këto sfida dhe të përmirësojnë jetën e këtyre qytetarëve”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se si MAPL synojnë që të mbështesin projektet të cilat bazohen në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, siç janë shtimi i hapësirave të gjelbërta, rregullimi i shtratit të lumenjëve apo reduktimi i hapësirave të mbeturinave.
Kurse përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i lumtur me arritjet e komunave të Kosovës.
Sipas tij, përmirësimi i efikasitetit të komunave të Kosovës është aspekt kyç i qeverisjes së mirë.
“Përmirësimi i efikasitetit të komunave të Kosovës është aspekt kyç i qeverisjes së mirë, gjithashtu një administratë publike transparente që funksionon mirë e pëërmirëson jetën qytetarëve dhe kontribuon në mirëqenien e tyre”, tha Szunyog.