Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku ka kërkuar shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Isaku, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për Administratë Publike dhe Media të premten, ka thënë se e mbështet kërkesën për shkarkimin e Bordit të KPM-së për shkak të rikthimit të kanaleve serbe ‘Arena’ në operatorët kabllorë.
“Andaj, është ngritur një shqetësim i madh i qytetarëve pas atij vendimi. Nuk mendoj që ka qenë diçka që s’është për t’u diskutuar. Është shumë për t’u diskutuar. E keni pasur ju një vendim të kaluar, por kaq shpejt e ndryshuar atë vendim. Aq më tepër kur ky vendim është atakuar në Gjykatën Komerciale dhe dy shkallë të kësaj gjykate e vërtetojnë atë vendim që ju e keni marrë”, ka thënë Isaku.
“Po ashtu unë e pashë një lajm që këtë vendim e ka mbështetur Telekom Serbia. Qysh pra një vendim që e ka marrë KPM-ja e jonë duartrokitet nga Telekom Serbia”, ka vazhduar ai.
“A e kuptoni çka ka ndodhur në Banjskë dhe çka e ndryshoi atë ngjarje kur dihet botërisht se ka qenë sulm terrorist ndaj shtetit tonë, i financuar nga Serbia, kur kemi një hero të vrarë të Kosovës çka kemi me i thanë na familjes së Afrim Bunjakut pas këtij vendimi?”, tha deputeti.
Duke folur në mbledhje, Isaku përmendi edhe ndaljen e rrjetit nga kompania IPKO në momentin kur po bëhej gati të mbante fjalim kryeministri Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të enjten në mbrëmje.
“Ju e patë vet çka ndodhi dje. Unë vet jam çu e kam incizu. Tu folë kryeministri i vendit në Këshillin e Sigurimit, dul IPKO e bllokoi. U dasht me hi në kompjuter me leshu se na i ndali qasjen kur fliste kryeministri i Kosovës. Foli Vuçiqi u transmetu, filloi kryeministri i Kosovës e ndalën rrjetin. Edhe Serbia i kish ndal fjalimet e Kurtit”, u shpreh ai.