Të fundit

Hasani: Badinter jurist eminent, ja pse Kosova u pavarësua jashtë skicës së mendimeve të tij

Robert Badinter, juristi francez, i cili në Ballkan u bë i njohur me përfshirjen e tij në rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ka vdekur dje në moshën 95 vjeçare. I angazhuar nga Bashkësia Evropiane (pararendësja e BE’së) e cila përpiqej të gjente një zgjidhje paqësore për konfliktet që shpërthyen në ish-Jugosllavi, Komisioni që e kishte drejtuar Badinter kishte gjetur se ky shtet po shpërbëhej dhe se kufijtë e ish- republikave ishin kufij ndërkombëtarë që mund të ndryshohen veç me marrëveshje. Në bazë të këtij rezultati kishte nisur edhe njohja ndërkombëtare e Sllovenisë, Kroacisë e Bosnjës.

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se me këto përfundime ua pati bërë të qartë serbëve se “integriteti territorial i Jugosllavisë nuk ishte i garantuar pafundësisht”.

Hasani vlerësoi se konstatimet e Badinter kanë ndikuar që serbët të trajtohen si agresorë dhe rebelë. Hasani thotë se Kosova s’ka qenë pjesë e mendimeve të këtij Komisioni sepse nuk ka pasur kontroll efektiv në territorin e saj deri ne vitin 1999.

“Të gjithë autorët ndërkombëtarë që kanë shkruar për këtë në kontekst të Kosovës janë të pajtimit që Kosova nuk ka mund të jetë objekt diskutimi sepse nuk ka pasur kontroll efektiv ndaj territorit të saj deri më 10 qershor 1999”, thekson Hasani.

“Kosova është rasti i vetëm që është pavarësuar jashtë skicës së mendimeve të Komisionit Badinter dhe rasti i vetëm i shkëputjes së suksesshme jashtë kontekstit kolonial që nga v. 1945 e deri më sot. Pas Kosovës vjen Sudani i Jugut. Nuk ka më raste të tjera”, shton ai.

Gazeta Express: Zoti Hasani, këto ditë ka vdekur Robert Badinter, jurist i njohur francez dhe evropian. Çfarë do të thotë ky emër për ju?

Hasani: Zoti Badinter bën pjesë në plejadën e juristëve më eminentë evropianë. Për ish-Jugosllavinë, ndërkaq, ai ka qenë busulla që ka drejtuar modalitetet e shpërbërjes së atij shteti, me përjashtim të Kosovës.

Kur ka dhënë mendimin e tij të parë, në gazetën FJALA (nëntor 1991) kam pas shkruar një analizë të gjatë juridiko-politike me titull “Aktvdekja Jugosllavisë”. Shkrimi gjendet integral i ribotuar në librin tim “Tema të zgjedhura nga e drejta dhe marrëdhëniet ndërkombëtare” (2015).

Me vendimin në fjalë, komisioni që drejtohej nga zoti Badinter ua pati bërë të qartë serbëve se integriteti territorial i Jugosllavisë nuk ishte i garantuar pafundësisht. Atëbotë, ky ishte i paimagjinueshëm dhe dukej sureal.

Gazeta Express: Në ish-Jugosllavi, me emrin e tij lidhet një trup i njohur si Komisioni Badinter. Cili ka qenë roli tij në krizën ish-jugosllave?

Hasani: Zoti Badinter i ka pri komisionit të arbitrazhit për ish- Jugosllavinë, të cilin e pati themeluar Këshilli Ministrave i BEE, siç quhej BE atëherë. Ka shërbyer deri në fund si një trup juridik për këshilla rreth të drejtave dhe detyrave të aktorëve ish-jugosllave, që kanë qenë ekskluzivisht republikat federale.

Roli i tij ka qenë vendimtar për disa arsye. Në rend të parë, sepse ai ka treguar që vetëvendosjen e jashtme, me kuptim pavarësinë e plotë, e gëzojnë vetëm republikat. Së dyti, ai ka përcaktuar se grupet dhe komunitetet etnike, gjuhësore, fetare dhe të tjera që janë pakicë brenda republikave ish-jugosllave gëzojnë të drejtën e brendshme për vetëvendosje. Së treti, për herë të parë Komisioni Badinter ka thënë se parimi “uti possidetis juris” vlen edhe jashtë kontekstit kolonial. Sipas këtij parimi, në momentin që një vend fiton pavarësinë, kufijtë administrativë me automatizëm kthehen në kufij ndërkombëtar. Ky konstatim ka bërë që serbët në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë të trajtohen si agresorë dhe rebelë. Së katërti, ky komision ka vënë kushtet e njohjes së ish-republikave jugosllave, që kanë qenë novitet i tërësishëm në ligjin e atëhershëm ndërkombëtar. Ato kushte kanë pasur të bëjnë me sundimin e ligjit, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve. Meqë mendimet e këtij komisioni kanë pasur efekt edhe ndaj ish – Bashkimit Sovjetik, si kusht për njohje ka qenë që disa republika ish-sovjetike të dorëzojnë arsenalin e trashëguar bërthamor. Ky kusht ka qenë i caktuar me një vendim të BE të datës 16 dhjetor 1991 , i njohur si Udhëzimi për njohjen e shteteve të reja në vendet ish-komuniste.

Gazeta Express: Ka pasur zëra në Kosovë dhe ndër juristë shqiptarë që kanë akuzuar Badinter-in për anime dhe përjashtimin e Kosovës nga procesi i sukcesionit të ish-Jugosllavisë! Ju keni argumentuar ndryshe. Pse?

Hasani: Ato zëra kanë qenë të bazuara në moskuptimin bazik të mendimeve të Komisionit Badinter. Të gjithë autorët ndërkombëtarë që kanë shkruar për këtë në kontekst të Kosovës janë të pajtimit që Kosova nuk ka mund të jetë objekt diskutimi sepse nuk ka pasur kontroll efektiv ndaj territorit të saj deri më 10 qershor 1999. Këta autorë i kam përpunuar në librin tim “Vetëvendosja, integriteti territorial dhe stabiliteti ndërkombëtar” (Buzuku 2010), që në fakt është doktorata ime e cila në anglisht është botuar në Vjenë më 2003.

Kam pasur nderin si rektor i UP ta takoj zotin Badinter. Ia pata organizuar një ligjëratë me profesoratin e UP. Pas ligjëratës gjerësisht kam folur me të për rastin e Kosovës dhe kemi ndarë të njëjtat mendime, pra që Kosova nuk ka mund të jetë objekt i mendimet të tij për shkak se nuk ka ushtruar kontroll efektiv mbi territorin e saj. Kosova është rasti i vetëm që është pavarësuar jashtë skicës së mendimeve të Komisionit Badinter dhe rasti i vetëm i shkëputjes së suksesshme jashtë kontekstit kolonial që nga viti 1945 e deri më sot. Pas Kosovës vjen Sudani i Jugut. Nuk ka më raste të tjera.

Më lejoni të theksoj se edhe mendimi GJND për Kosovën me respekt i referohet mendimeve të Komisionit Badinter. Ato mendime –  gjerësisht ka pajtim për këtë – kanë pasuruar dukshëm të drejtën ndërkombëtare sa i përket krijimit dhe zhdukjes së shteteve, njohjes dhe trashëgimit të shteteve, gjithnjë jashtë kontekstit kolonial.

Serbët kanë keqinterpretuar mendimet e tij. Në momentin që Komisioni Badinter ka thënë (janar 1992), se vetëm republikat kanë të drejtën e vetëvendosjes së jashtme, serbët kanë nisur pastrimin etnik dhe dhunën ndaj popujve jo serb për krijimin e bazës territoriale për republikat e tyre. Në mendimet e mëpastajmë të viteve 1992 dhe 1993, Komisioni Badinter ua ka bërë të qartë serbëve se me territor republikan nuk nënkuptohen ato territore dhe ato republika të krijuara pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Këtë konstatim e gjejmë edhe në mendimin e GJND për Kosovën dhe në vendimet e Këshillit të Sigurimit që kanë dënuar pastrimin etnik dhe përdorimin e dhunës ilegale si mënyrë për realizim të vetëvendojes së jashtme.

 

Video nga Paradoks

"Prej jashti s'keni pa": Fisnik Ismaili flet për Shpend Ahmetin e Përparim Ramën - "Goditjet i kanë ardhë nga VV"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci