Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar të shtunën pasdite se është marrë aktvendimi për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Enver Sekiraqës.
Ndaj Sekiraqës tashmë është shqiptuar masa e e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj.
“Departamenti Special, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së
Kosovës, duke vendosur sipas detyrës zyrtare, me datë 09.02.2024 konform nenit 181
paragrafi 7 lidhur me nenin 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka marr
Aktvendim dhe të akuzuarit E.S i ndërprehet masa e arrestit shtëpiak me datë 10.02.2024
dhe kundër të njëjtit urdhërohet masa e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të
zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Gjykata duke vepruar sipas detyres zyrtare, të akuzuarit E.S i ndërpren masën e arrestit
shtëpiak dhe kundër të njëjtit cakton masën e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do
të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj, ngase që nga data e caktimit të masës së arrestit
shtëpiak me datë 15.10.2021 e deri me tash, i njëjti asnjëherë nuk e ka shkelur masën e
arrestit shtëpiak. Duke pasur parasysh se i akuzuari gjendet nën masën e arresti shtëpiak
për më shumë se dy vite dhe se nuk ka pasur asnjë njoftim nga Policia e Kosovës se i njëjti
në çfarëdo mënyre nuk e ka respektuar këtë masë, gjykata konsideron se edhe masa e
paraqitjes në stacion policor, krijon kushte që procedura penale në këtë çështje të
zhvillohet pa vështirësi. Andaj gjykata vlerëson se është përmbushur kushti nga neni 176 paragrafi 1, pika 1.2 të KPRK-së, ngase ka arsye për të besuar, se po të gjendet i akuzuari në liri të plotë, do të mund të fshihet ose do të largohet nga Kosova”, thuhet tutje në komunikatën e tyre.
Paparaci ka raportuar sot për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Sekiraqës.
Enver Sekiraqa është i akuzuar për vepën penale Shtytje në kryerjen e veprës së rëndë të parashikuar nga neni 147 paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 24 të KPK- së, për të cilën vepër çështja është kthyer në rigjykim sipas vendimit të Gjykatës së Apelit.
Ai ishte dënuar fillimisht nga gjykata e shkallës së parë me 37 vite burgim.