Të fundit

​Shkrimi jo i mirë i mjekëve, farmacisti: I thërras dhe i pyes çfarë ke shkruar

Përshkrimi i barnave nga mjekët në mënyrë elektronike po konsiderohet si nevojë e domosdoshme. Kjo meqë vlerësohet se lehtëson barrën e pacientëve, punën e farmacistëve dhe të vetë doktorëve. Të njëjtit thonë se digjitalizimi i recetës mjekësore do të ndikonte në zvogëlimin e mundësisë që pacientëve t’u jepen terapi të gabuara, si pasojë e shkrimit jo të mirë me dorë.

Zëvendësdrejtori i Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF-ve) në Prishtinë, Bujar Gashi tha se funksionimi i mangët i Sistemit Informativ Shëndetësor, po shkakton vështirësi të vazhdueshme, duke përfshirë edhe ngecjen e procesit të digjitalizimit të recetës mjekësore.

Gashi për KosovaPress potencoi se ka disa vite që ekziston ky problem, për çka shtoi se rënia e sistemit u shkakton telashe infermierëve e mjekëve për ta kryer punën e tyre.

“Problemet në vazhdimësi vijnë si rezultat i funksionimit të mangët ose gjysmak të Sistemit Informativ Shëndetësor sepse edhe raporti mjekësor edhe receta janë të përfshira në kuadër të SISh-it e të cilat normalisht iu lëshohen pacientëve dhe iu jepen pacientëve atëherë kur sistemi funksionon…Kot funksionon sistemi, nëse nuk funksionon printeri ose lidhja e sistemit me printer ku duhet të shtypet një raport ose recetë.

Fatkeqësisht, vite me radhë ka pasur probleme në këtë drejtim, sistemi është që bie shumë shpesh që duhet të riaktivizohet disa herë, e që iu shkakton probleme infermierëve, mjekëve për të kryer punën e tyre. Duke marrë parasysh numrin e vogël të punëtorëve shëndetësorë, e numrin e madh të pacientëve e vështirëson edhe më shumë…Tash e një kohë, ndoshta janë 6 muaj që komplet printerët që kanë qenë në institucionet shëndetësore tona janë tërhequr nga kompania dhe ne jemi munduar që në kapacitete tona printerët tonë që i kemi pasur të zyreve e të ambienteve tjera, i kemi vendosur nëpër sportele në mënyrë që të mund të funksionojnë”, tha Gashi.

Se digjitalizimi i recetës mjekësore është i nevojshëm e thotë edhe farmacisti përgjegjës në një nga barnatoret në kryeqytet, Arbnor Alidema, i cili thotë për KosovaPress, tregon se shumë shpesh detyrohen që të thirrin mjekun që ka përshkruar terapinë për ta pyetur rreth saj, ngase nuk mund ta kuptojnë shkrimin.

Ai shton se një gjë e tillë do të lehtësonte edhe punën e farmacistëve.

“Patjetër që duhet të jepet në mënyrë elektronike se me dorë mund të ndodhë edhe ndonjë gabim për shkak të shkrimit. Secili doktor e ka shkrimin e vet, ka që i shkruajnë keq, ka që i shkruajnë mirë. Kështu që, më mirë elektronike është gjithmonë, gabimet janë minimale…A iu ka ndodhur juve ndonjëherë të keni mëdyshje ose vështirësi kur e keni lexuar përshkrimin? Patjetër, kemi shumë shpesh dhe i thirrim në telefon doktorët, i thirrim i pyesim çka ke dashur të shkruash këtu se nuk po mund ta kuptojmë, hiç më larg mbrëmë…Ordinancat e kanë krejt elektronik normalisht që ka kosto elektronika, printeri, mirëmbajtja, kanë kosto”, tha Alidema.

Njëjtë mendon edhe kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, derisa thotë se shkruarja e recetës mjekësore në mënyrë klasike i dëmton pacientët. Sipas tij, jo gjithmonë ato që shkruhen nga mjekët, jepen nga farmacistët, si shkak i shkrimit jo të kuptueshëm nga këta të fundit.

“Mungesa e sistemit elektronik në sistemin shëndetësor vetëm se dëmton edhe sistemin shëndetësor edhe pacientin, për faktin se edhe nuk krijohen evidenca kush çka po shkruan dhe çka po blen. Gjithashtu, dëmton edhe pacientin në mënyrë individuale, sepse jo gjithmonë ato që përshkruhen nga mjekët jepen nga farmacistët dhe jo gjithmonë ato që përshkruhen nga mjekët arrijnë të lexohen nga farmacistët. Është botërisht e vërtetuar që shkrimi kushtimisht i keq i mjekëve ka ndikuar në dëme tek pacientët”, thekson Kodra.

Ndërkaq, qytetarët thonë se shkrimi i recetës mjekësore në mënyrë elektronike është dashur të bëhet që moti. Sipas tyre, kjo do të ndikonte në minimizimin e ngatërrimit të ilaçit, si shkas i dorëshkrimit jo të mirë.

Qytetari Gani Gashi thotë se në këtë botë të digjitalizuar, kjo gjë do të duhej të rregullohej kohë më parë. Sipas tij, si pasojë e “shkarravitjes” së mjekëve në receta mjekësore, pacientët mund të dëmtohen.

“Kjo është dashur kaherë të bëhet jo sot që ju po e bëni pyetjen shumë me vend, se atyre është dashtë nuk e di se çfarë me iu bërë, nuk po flas ndonjë fjalë më të rëndë. Vetëm se bota është digjitalizuar, edhe këta të digjitalizohen se po shkarravitin, dy X t’i bëjnë edhe kurrë nuk e dinë se çfarë po të shkruan. Mundet ta jap një bar tjetër në vend të një bari tjetër, çfarë ke bërë, e ke dëmtuar vetën”, tha Gashi.

Edhe Haki Kasumi vlerëson se duhet të ndryshojë mënyra klasike e shkrimit nga mjekët, për çka thotë se kjo do të zvogëlonte gabimet e mundshme.

“Koha e digjitalizimit, gjithsesi duhet, është vështirë për gjeneratat e vjetra përndryshe për këta të rinjtë, unë do të thoja se është obligim. Sigurisht që do të zvogëlohen gabimet, ngase edhe në kompjuter, edhe në teknikë digjitale mund të bëhen gabime, por bëhen shumë më pak sesa me dorë”, tha Kasumi.

Video nga Paradoks

"Prej jashti s'keni pa": Fisnik Ismaili flet për Shpend Ahmetin e Përparim Ramën - "Goditjet i kanë ardhë nga VV"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci