Çmimi “Ylli i javës” për javën e 19-të, në Superligë i ka takuar futbollistit të Llapit, Diar Vokrri.
Vokrri gjatë gjithë ndeshjes Drita-Llapi pati paraqitje të shkëlqyeshme në fazën defanzive, derisa ishte edhe asistues në golin e fitores të shënuar nga Arbnor Ramadani.
Pasi mori këtë çmim mbrojtësi llapjan u shpreh i lumtur për vlerësimin dhe fitoren e skuadrës së tij në derbi.
“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam shumë i lumtur për çmimin Ylli i javës . Është hera e parë që e fitoj këtë çmim dhe kjo më jep motiv shtesë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen. Fitorja kundër Dritës na shtyn para drejt synimeve tona në këtë edicion, pasi e dimë që Llapi këtë edicion është pretendent për titull dhe shpresojmë që në fund ta festojmë. Falënderoj bashkëlojtarët dhe klubin, ngase pa mbështetjen e tyre nuk do të isha sot këtu”, ka theksuar Diar Vokrri për faqen zyrtare të FFK-së.