Të fundit

Një llogari bankare ruse mund të ofrojë dëshmi mbi marrëveshjen për armët verikoreane

Moska mund të jetë duke tentuar ta ndihmojë Pyongyangun që të ketë qasje në sistemin ndërkombëtar financiar në këmbim të raketave dhe armatimit, thonë zyrtarë të Inteligjencës.

Rusia ka lejuar zhbllokimin e miliona dollarëve të aseteve të ngrira të Koresë së Veriut dhe mund të jetë duke ndihmuar aleaten e saj të izoluar duke i ofruar qasje në rrjetin bankar ndërkombëtar. Kjo ndihmë erdhi pas transferimit të armëve nga Koreja e Veriut për në Moskë, armë të cilat përdoren kundër Ukrainës, siç thonë zyrtarë të Inteligjencës së aleatëve amerikanë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë muajin e kaluar se ka dëshmi që Koreja e Veriut i ka ofruar Rusisë raketa balistike dhe se Koreja e Veriut po kërkonte teknologji ushtarake në këmbim.

Pyongyangu po ashtu duket se ka transportuar 2.5 milionë municione, sipas analizës së një “think-tanku” britanik që merret me çështje të sigurisë.

Ndërsa është e paqartë nëse Rusia ia ka dhënë Koresë së Veriut teknologjinë ushtarake që e kërkoi, lidhjet e reja bankare mund të jenë shenja për përparim të shpejtë në marrëdhëniet mes dy shteteve. Ky zgjerim i partneritetit ka shumë të ngjarë të ketë inkurajuar Korenë e Veriut, pasi ajo ka bërë një seri të kërcënimeve luftarake në muajt e fundit, thonë zyrtarët amerikanë.

Rusia ka lejuar që të zhbllokohen 9 milionë dollarë nga 30 milionë asete të ngrira verikoreane që ishin në institucione financiare ruse, thonë zyrtarët e inteligjencës. Këto para thonë se Koreja e Veriut e varfër do t’i përdorë për të blerë naftë të papërpunuar.

Pos kësaj, një kompani shtetërore verikoreane së fundi ka hapur një llogari në një bankë tjetër ruse, thonë zyrtarët e inteligjencës, dëshmi se Moska mund të jetë duke ndihmuar Pyongyangut që t’i shmangë sanksionet e OKB-së, sipas së cilave u ndalohet bankave që të bëjnë biznes me Korenë e Veriut. Ato sanksione kanë goditur rëndë Korenë e Veriut dhe në pjesën më të madhe kanë larguar këtë shtet nga rrjetet ndërkombëtare financiare.

Llogaria e re bankare është në Osetinë Jugore, një vend që e vetëshpalli pavarësinë e që gjendet në rajonin e Kaukazit. Ky vend ka lidhje të ngushta me Rusinë, thonë zyrtarët, që kanë folur në kushte anonimiteti.

Zyrtarët amerikanë thonë se nuk mund të konfirmojnë specifikat e aranzhimeve bankare. Por, një zyrtar i lartë, që ka kërkuar të mbetet anonim për të biseduar për çështjet e inteligjencës, ka thënë se aranzhimet janë pikërisht ato që ka pritur SHBA-ja se Koreja e Veriut do t’i kërkonte nga Rusia në këmbim të armëve.

Qasja në rrjetin financiar është vetëm një gjë që është në listën e dëshirave të Koresë së Veriut, sipas ekspertëve. Ajo që do Koreja e Veriut nga Rusia, ata thonë, është teknologjia e avancuar ushtarake, si teknologjia e satelitëve dhe nëndetëse me energji nukleare.

Marrëdhëniet më të ngushta tashmë kanë sjellë përfitime diplomatike. Pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në lindje të Rusisë vjeshtën e kaluar. E Putini u takua në janar me ministrin e Jashtëm verikorean, Choe Son-hui, në Moskë.

Gjatë atij takimi Putini sinjalizoi se së shpejti mund ta vizitojë Pyongyangun, udhëtimin e tij të parë në kryeqendrën e Koresë së Veriut në afro 25 vjet, siç ka thënë mediumi shtetëror i Koresë së Veriut.

Aranzhimet bankare mund të jenë të rëndësisë së madhe për Korenë e Veriut, e cila mbështetet në importet për ta mbajtur të gjallë ekonominë e saj. Marrëdhëniet mund t’i lehtësojnë transaksionet jo vetëm me Rusinë, por edhe me shtetet tjera. Koreja e Veriut mund t’i përdorë lidhjet e Moskës me një pjesë të vendeve, përfshirë Turqinë e Afrikën e Jugut, që ende bëjnë tregti me Rusinë edhe pasi ajo u godit nga sanksionet ndërkombëtare shkaku i luftës në Ukrainë.

Nëse Moska po lejon Korenë e Veriut të përdorë bankat ruse ose po zhbllokon asetet e ngrira, i bie se ajo “është kthyer në mashtruese financiare e tregtare”, thotë Juan C. Zarate, një ish-asistent i Sekretarit të Thesarit dhe ekspert i krimeve financiare.

Ndërsa lirimi i 9 milionë dollarëve asete të ngrira mund të jetë relativisht i vogël, për verikoreanët është “e mirëseardhur çdo mënyrë alternative për të pasur qasje në kapital”, thotë Zarate.

Kombet e Bashkuara dhe SHBA-ja kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Koresë së Veriut si kundërpërgjigje për testimet e saja ilegale të armëve nukleare. Sanksionet bankare kanë “qenë një nga sfidat për verikoreanët dhe arsyeja pse kanë qenë aq kreativë se si të krijojnë rrjetin e tyre financiar”, përfshirë edhe përdorimin e kriptovalutave, ka thënë Zarate.

Për Rusinë transanksionet financiare mund të jenë më të këndshme sesa furnizimi me ekspertizë ushtarake dhe teknologji bërthamore apo teknologji të tjera. Ndonëse dy vendet “mund të jenë mike me përfitime tash”, thotë Soo Kim, ish-analist i CIA-s për Korenë e Veriut, besimi i tyre nuk është aq i madh saqë Rusia “t’i hapë sekretet e saja të çmuara”.

Ekspertët thonë se Rusia mund të lëvizë me kujdes, pasi është ende e vetëdijshme për sanksionet e OKB-së, marrë parasysh se ajo është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Rusia, thonë ata, mund të besojë se mund t’i shmangë sanksionet në një mënyrë mohuese.

“Ata gjithmonë mund të thonë se ‘është bankë private dhe hetuesit tanë do të shohin për këtë’, dhe kurrë nuk do të shkojë më larg se kaq”, thotë James D.J. Bro]n, profesor i shkencave politike në kampusin e Tokios në Temple University që specializon për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Azisë Lindore.

Pos marrëdhënieve bankare, Rusia mund thjesht të shkëmbejë mallra që i duhen Koresë së Veriut në këmbim të armëve.

“Ajo që do të ishte logjike për Korenë e Veriut është të angazhohet në shkëmbime të drithërave dhe teknologjisë bujqësore si traktorët, të cilët janë të ndaluar përmes sanksioneve”, ka thënë Hazel Smith, profesoreshë e studimeve koerane në Shkollën e Studimeve Orientale dhe Afrikane në Universitetin e Londrës. “Duke pasur parasysh pasigurinë e rublës dhe mungesën e plotë të vlerës së ]onit veri-korean, është e vështirë të shihet se pse transaksionet e mëdha qoftë për Rusinë apo Korenë e Veriut do të kryheshin në rubla”.

Duke dërguar raketa dhe municione në Rusi, Koreja e Veriut nëse asgjë, ka marrë vëmendjen e botës dhe përfitime diplomatike nga Moska.

“Unë mendoj se e vlerësojnë këtë shumë”, thotë Joseph Byrne, një hulumtues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, që ka specializuar në çështjen e Koresë së Veriut. “Ceremonia e saj, legjitimiteti. Kjo thjesht e bën Korenë e Veriut shumë të fortë, nëse duket se ajo e ka mbështetjen e plotë nga Rusia”.

Video nga Paradoks

"Prej jashti s'keni pa": Fisnik Ismaili flet për Shpend Ahmetin e Përparim Ramën - "Goditjet i kanë ardhë nga VV"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci