I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot ka deklaruar se vendi i tij ishte plotësisht i qartë se nuk mund të ketë veprime të njëanshme dhe se veprimet e tilla do të kenë pasoja.
Siç shkruan agjencia serbe Tanjug, përkitazi me vendimin e Kosovës për shtyrjen e zbatimit të dekretit të BQK-së për ndalimin e dinarit në Kosovë, Escobar ka thënë se për këto çështje duhet të komunikohet me afate që nuk prekin popullatën.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit, por Serbia dhe Kosova duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese”, ka thënë ai, transmeton Paparaci.
I pyetur nëse adresa për të ndihmuar serbët në Kosovë është në Bruksel apo në Uashington, ai edhe një herë ka theksuar se SHBA e mbështesin plotësisht dialogun nën patronazhin e BE-së dhe bëjnë të gjitha përpjekjet për ta vazhduar atë, sepse dialogu është i vetmi kanal për zgjidhjen e çështjeve në mes dy vendeve.
“Përkrahja jonë teknike, mbështetja jonë ekonomike dhe ndikimi ynë politik qëndron prapa dialogut. Në fund të fundit, aspirata jonë më e madhe është që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Dhe në ndërkohë që të zhvillojnë marrëdhëniet bilaterale paqësore, produktive dhe efikase”, ka thënë Escobar./Paparaci.com