Pesëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 40 të tjerë janë plagosur pasi një zjarr shpërtheu në një ndërtesë apartamentesh në Kinën lindore, thanë autoritetet lokale.
Pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan flakë dhe shtëllunga tymi të zi që përfshinin disa kate të një rrokaqiell në qytetin Nanjing.
Zyrtarët sugjeruan se zjarri filloi në katin e parë të ndërtesës, ku po ruheshin biçikletat elektrike. Por shkaku konkret i zjarrit është duke u hetuar
Ndërtesa ndodhet në rrethin Yuhuatai të Nanjing, një qytet me më shumë se tetë milionë banorë që shtrihet rreth 162 milje (260 km) në veri-perëndim të Shangait.
Ekuipazhet e shërbimit të urgjencës u njoftuan fillimisht për zjarrin në orën 04:40 sipas orës lokale (20:40 GMT) të premten, thanë zyrtarët të shtunën në mëngjes.
Njëzet e pesë makina zjarrfikëse dhe 130 zjarrfikës u dërguan për të shuar flakët. Deri në orën 06:00 (22:00 GMT), zjarri ishte shuar, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit përfundoi rreth orës 14:00.
Nga 44 personat e lënduar të dërguar në spital për trajtim, njëri është në gjendje kritike dhe një tjetër i plagosur rëndë, thanë zyrtarët.
Në një konferencë për shtyp, kryebashkiaku i Nanjing, Chen Zhichang u shprehu ngushëllime dhe falje familjeve të viktimave. /BBC/