Përparim Rama i ka akuzuar partitë opozitare në Prishtinë për planifikim të “rrëmbimit të pushtetit” lokal.
Kryetari i Komunës së Prishtinës e hapi me një fjalim seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci.
Rama iu drejtua me një thirrje asamblistëve të partive opozitare që të mos bëhen pjesë e “lojërave të ndyra politike”, derisa nismën e sotme e cilësoi “votim për rrëmbim të pushtetit”.
“Oportunizmi politik po synon të na marrë pushtetin për interesa personale, e jo të qytetarëve. Sot jam këtu para jush të ju përkujtoj se ne që jemi kujdestarët e këtij qyteti, kemi një përgjegjësi më të lartë. Ne jemi zgjedh jo për lojëra politike, por për të shndërru Prishtinën në një qytet plot me jetë, ku ajri bëhet më i pastër, ku zhvillimi takon inovacionin”, tha ai.
“Prandaj, po ju thërras që para se të votoni: A doni që të kujtoheni si brezi i lojërave të ndyta politike apo si brezi që ndërtoi një trashëgimi zhvillimore? Sytë e Kosovës sot janë këtu drejt nesh. Prishtina mund të jetë një vatër i unitetit, një shembull i asaj që mund të arrijmë kur punojmë bashkë”, u shpreh Rama. “Ju lutem, dilni jashtë lëvozhgës partiake”.