Në mbledhjen e jashtëzakonshme që po mbahet sot nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, ku pika e vetme në rend dite është shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit, Pëllumb Bajçinovci, kryetari i komunës, Përparim Rama është shprehur se janë zgjedhur për të shndërruar Prishtinën në një qytet që pulson plot me jetë.
Në fjalimin e tij, Rama u shpreh se u drejtohet qytetarëve, duke thënë se po tentohet të ndalet zhvillimi i Prishtinës, pikërisht tani që transformimi i qytetit po merr formë.
“Po ndodh sot, kur rruga Jim Xhema (A), njëri ndër projektet më të mëdha zhvillimore në vend, është duke u realizuar në kohë rekorde. Kur jemi duke e përfunduar unazën e brendshme. Kur kemi nisur ndërtimin e 6 shkollave të mëdha, ndërtimin e 6 çerdheve për fëmijë, kur kemi shtrirë ndriçimin publik në qytet e në fshatra, kur kemi shtrirë ngrohjen qendrore në shumë lagje, e kur po ndodhin investime serioze në shëndetësi, sport e kulturë, dhe në parqe e gjelbërim, të cilat nuk kanë ndodhur për vite me radhë”, është shprehur Rama.
Ai tha se ndodhen në një udhëkryq, sepse oportunizmi politik po kërcënon me e marrë qytetin.
Rama ka shtuar se iniciativa e sotme për të rrëmbyer pushtetin, është një shuplakë për çdo banor të Prishtinës, dhe se kjo është një përpjekje e hapur për të bllokuar zhvillimin.
Tutje, i pari i Prishtinës tha se janë zgjedhur për ta shndërruar Prishtinën në një qytet që pulson jetë, që përqafon transportin alternativ, ku ajri bëhet më i pastër dhe ku ka më shumë hapësira të gjelbra.
“Ne jemi zgjedhë, JO për me lujtë lojëra politike, por me e shndërru Prishtinën në një qytet që pulson plot me jetë, që përqafon transportin alternativ, ku ajri bëhet më i pastër, ku lulëzojnë hapësirat e gjelbra, ku zhvillimi takon inovacionin, një qytet, pra, që i jep përparësi jetës së shëndetshme dhe vendos standarde të reja për të gjithë rajonin. Prandaj, po ju thërras, para se të vendosni me dhënë votën tuaj, a doni që të kujtoheni si brezi i lojerave te ndyta politike, apo si brezi që e ndërtoi një trashëgimi zhvillimore?
Sytë e Kosovës, sot, janë drejt nesh”, është shprehur Rama.
“Dhe, për më tepër, kë po e shkarkoni? Pëllumbin? Një djalë shembullor nga Prishtina e një asamblist e koleg model, një kryesues i cili u dëshmua se është i të gjithëve dhe punoi me nder e korrektësi për të gjithë. Dhe për çfarë po shkarkohet? Që nuk qenkan mbajtur dy mbledhje të Kuvendit Komunal”, ka shtuar Rama
Ai ka ftuar të gjithë asamblistët që të pyesin vetën se për çfarë janë zgjedhur nga qytetarët, nëse janë zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët apo për të përfaqësuar pazaret e grupeve të interesit.
“Unë dhe qeverisja e Prishtinës përfaqësojmë vetëm interesat e qytetarëve të kryeqytetit, pa dallim. Pavarësisht këtyre lojërave politike, zhvillimi në Prishtinë po ndodhë dhe punën tonë për transformimin e saj nuk do ta ndalë askush dhe asgjë. Prandaj, bëhuni pjesë e zhvillimit dhe transformimit, e jo e bllokimit”, ka shtuar Rama në fund.