Gjyqtari nga Mali i Zi, Ognjen Jokiq, ishte edhe njëherë tjetër temë diskutimi për një ndeshje në kuadër të Ligës Ballkanike.
“I përhershëm” në ndeshjet e Prishtinës e të kësaj lige, Jokiqit këtë radhë i doli punë me bardhekaltrit.
Jokiq nuk gjykoi faull kontaktet ndaj Henrik Sirko kur kishin mbetur saktësisht edhe 12.1 sekonda deri në përfundim të takimit, kur rezultati ishte 84:83 në të mirë të Prishtinës.
Sirko humbi posedimin e topit, teksa Peja arriti të kalonte në epërsi prej një pike duke e pasur koshin e hapur.
Klubit nga kryqyteti nuk i pëlqeu aspak vendimi i gjyqtarit nga Mali i Zi, ku vendosen edhe të largohen nga palestra por u rikthyen pas disa minutave.
Prishtina u mposht në fund të takimit me rezultat 87:84, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ushtrojnë ankesë për shkak të ndarjes së drejtësisë.
Ognjen Jokiq është emër i njohur në basketbollin kosovar. Për shumë vite ai ka gjykuar ndeshjet e klubeve kosovare në garat ndërkombëtare, siç është Liga Ballkanike.
Jokiq ishte përmendur edhe para disa muajve për përfshirjen në kurdisje të ndeshjeve së bashku me gjqytarin kosovar Daut Mehmeti.
FIBA kishte marrë vendim për pezullimin e Jokiqit për rreth pesë muaj për shkak se nuk kishte pranuar të bashkëpunojë në zbardhjen e hetimeve, kurse Mehmeti është përjashtuar përjetësisht.
Nga agjensia SportsRadar, Liga Ballkanike cilësohet si një ligë e dyshimtë për kurdisjen e ndeshjeve.