Të fundit

Çfarë tha Putini në fjalimin e tij të shumëpritur drejtuar kombit

Para gjashtë vjetëve, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, qëndroi para një tubimi të përbashkët të dy dhomave të Parlamentit, së bashku me dhjetëra zyrtarë kabineti dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, dhe u mburr se vendi i tij po e zhvillonte një numër të madh të armëve të reja të fuqishme, që ishte paralajmërim drejtuar Perëndimit.

Më 29 shkurt, ai e bëri të njëjtën gjë.

Por, sikur më 2018, edhe sivjet Putini gjatë shumicës së fjalimit të tij mbi dy orësh u zhyt thellë në hollësi të telasheve të brendshme të Rusisë, duke folur për gjërat si, paga minimale, normat tatimore dhe mbështetja financiare për nënat, si dhe për instalimin e tubacioneve të reja të ngrohjes me gaz.

Ai e mbajti fjalimin për gjendjen e kombit vetëm dy javë para zgjedhjeve presidenciale në të cilat e ka të sigurt fitoren. Ai do ta fitojë mandatin e pestë si president dhe do ta zgjasë sundimin si lideri që ka shërbyer tashmë më së gjati prej epokës cariste.

Ai nuk foli shumë për zgjedhjet në fjalimin e tij. Fjalimi i tij nuk u mbizotërua as nga pushtimi i Ukrainës, i cili ka hyrë tani në vitin e tretë dhe fundi nuk i dihet. Prej se nisi ky pushtim, rreth 330.000 trupa ruse janë vrarë apo plagosur, sipas vlerësimeve nga Perëndimi, ndërsa qindra mijëra rusë kanë ikur nga vendi, prej frikës se mund të thirren për të luftuar në Ukrainë.

“Nuk është lufta ime, është lufta jonë”

Putini nuk foli në hollësi për luftën kundër Ukrainës. Por, ai u përpoq fort ta paraqesë atë si përpjekje kombëtare – një kauzë e përbashkët që e ka bashkuar vendin.

“Roli vendimtar në këtë luftë të drejtë i takon qytetarëve tanë, unitetit tonë dhe përkushtimin ndaj atdheut tonë dhe përgjegjësisë sonë për fatin e tij”, tha Putin.

Dhe, derisa dëshmitë tregojnë se shumë zyrtarë të lartë rusë nuk e dinin për pushtimin derisa ai nisi, dhe miliona rusë mbetën të tronditur nga ky vendim, Putini siguroi se “qysh qartazi nga fillimi kishte mbështetje të gjerë për operacionin special ushtarak”.

Ai i lartësoi punëtorët që “po punojnë në tri ndërrime”, si dhe sipërmarrësit, inxhinierët, vullnetarët, bamirësitë, partitë politike dhe të tjerët për “punën e tyre përgjegjëse dhe të palodhshme për t’i mbështetur interesat e Rusisë”.

Në tentim për ta shpërndarë përgjegjësinë te e gjithë popullata, Putini i shpërfilli dhjetëra mijëra njerëz të cilët e rrënuan jetën e vet dhe ikën nga vendi në javët e para të pushtimit që nisi në shkurt 2022, si dhe valën e madhe të emigrantëve që ndodhi kur Putini njoftoi se do të kishte mobilizim ushtarak në shtator të atij viti.

Media joqeveritare, lokale dhe nacionale, u detyruan të ikin nga vendi, apo të përballen me mbyllje, përfshirë mediume të rëndësishme si, Ekho Moskvy, Dozhd TV dhe Novaya Gazeta.

Kërcënim ushtarak. Përsëri

Sikur më 2018, dhe në vitin pasues gjithashtu, Putini e përdori fjalimin për t’u mburrur për armët e reja të Rusisë, duke i dërguar sinjale kërcënimi NATO-s dhe Perëndimit.

Ai u mburr për armë hipersonike të cilat ka vite që janë në zhvillim e sipër: raketa balistike që shkrepet nga ajri, Kinzhal, si dhe Tsirkon, apo Zircon, raketa lundruese hipersonike që shkrepet nga deti. Raketa Kinzhal është konfirmuar në luftën në Ukrainë, Tsirkoni jo.

Putini tha se të dyja ato janë përdorur tashmë në Ukrainë.

Ai gjithashtu u mburr për sistemet e armëve që janë zbuluar në të kaluarën – raketa balistike interkontinentale, Sarmat, arma lazer Peresvet, si dhe dy armë të tjera zhvillimi i të cilave tha se është afër përfundimit: droni nënujor bërthamor, Poseidon, dhe raketa lundruese bërthamore e njohur si Burevestnik.

Putini iu përgjigj sugjerimeve të presidentit francez, Emmanuel Macron, për mundësinë teorike që vendet anëtare të NATO-s të dërgojnë trupa në Ukrainë për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër pushtimit rus.

“Ne gjithashtu kemi armë me të cilat mund t’i godasin caqet në territorin e tyre”, tha Putin. “A nuk e kuptojnë këtë ata?”

Perëndimi duhet “patjetër, në fund, ta kuptojë se e gjithë kjo rrezikon nxitjen e një konflikti me përdorimin e armëve bërthamore, dhe si përfundim shkatërrimin e qytetërimin”, tha ai.

“Ne e mbajmë mend fatin e atyre të cilët dikur dërguan kontingjentet e tyre në territorin e vendit tonë”, tha Putin, siç duket duke iu referuar pushtimeve të kaluara nga Napoloni më shekullin e XVIII-të dhe Hitleri në shekullin e XX-të.

“Por, pasojat e ndërhyrjeve të mundshme do të jenë shumë më tragjike”, tha ai.

A nënkupton kjo se Rusia është gati ta sulmojë Evropën apo NATO-n, diçka për të cilën disa vende të NATO-s kanë thënë se është mundësi në rritje në vitet në vazhdim?

Tani për tani, përgjigja është jo. Por, kërcënimi i Putinit mund të ketë pasur qëllim t’i frikësojë vendet e NATO-s, për ta larguar mundësinë e dërgimit të forcave të NATO-s në Ukrainë.

Putini e kritikoi edhe atë që ai dhe shumë elemente të sigurisë dhe inteligjencës ruse e cilësojnë si rivalin dhe armikun më të madh të vendit: Shtetet e Bashkuara.

“Ka pasur seç herë e më shumë akuza të pabaza kundër Rusisë, për shembull, se ne gjoja po vendosim armë bërthamore në hapësirë. Aluzionet e tilla, të cilat janë asgjë tjetër pos aluzione, janë dredhi për të na tërhequr neve drejt bisedimeve sipas kushteve të tyre, të cilat janë të favorshme vetëm për Shtetet e Bashkuara”, tha Putin.

“Fjalët e autoriteteve të sotme amerikane për gjoja interesimin e tyre për të biseduar me neve për çështjet e stabilitetit strategjik janë demagogji… ata thjesht duan t’u tregojnë qytetarëve të vet dhe të gjithë të tjerëve se ata ende e sundojnë botën”.

Megjithëse Putini u kushtoi kohë në fjalimin e tij luftës kundër Ukrainës dhe konfrontimit të Rusisë me Perëndimin, ai nuk u zhyt në to aq shumë sa ishte zhytur në shumë paraqitje që i kishte bërë prej se e nisi pushtimin.

Pjesën më të madhe të fjalimit ua kushtoi çështjeve programore si, sa metra katrorë të shtëpive të reja duhet të ndërtohen çdo vit dhe sa duhet të jetë jetëgjatësia mesatare deri në vitin 2030.

Ai foli gjatë edhe për propozimet në lidhje me rënien demografike, gazifikimin e zonave urbane, zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë, përmirësimin e shëndetësisë dhe arsimit.

Gati 24 vjet si figura më e rëndësishme politike e Rusisë, Putini e ka përsosur artin e zotërimit të hollësive të vogla – i përpiktë apo i mërzitshëm, ose të dyja. Është ndër aftësitë që i kanë ndihmuar ta vulosë popullaritetin e vazhdueshëm në mesin shumicës së elektoratit rus.

As fjalimi i këtij viti nuk bën përjashtim, sepse shumicën e tij ia kushtoi propozimeve për politika të brendshme, për të cilat ka thënë se do ta luftojnë varfërinë, do ta përmirësojnë shkallën e ulët të lindjeve në vend, do të ofrojnë mbështetje për veteranët dhe do ta përmirësojnë qasjen në arsim.

Duke e zbuluar një plan gjashtëvjeçar për shpenzimet dhe investimet, Putini foli hollësisht për shtrirjen e linjave të gazit natyral në cepat e largëta të vendit. Ai diskutoi edhe për ndryshimin e formatit të Testit Shtetëror, një test i administruar në gjithë vendin të cilit i nënshtrohen miliona nxënës të shkollave të mesme para se të futen në universitete.

Ai bëri thirrje për rritjen e prodhimit industrial, rritjen e prodhimit të mallrave të teknologjisë së lart për 150 për qind dhe për ta bërë prioritet zhvillimin e automobilave dhe barnave vendore.

Zgjedhjet, cilat zgjedhje?

Meqë zgjedhjet e 15-17 marsit po afrohen me shpejtësi, mund të pritet që një fjalim i këtij lloji – i cili u transmetua në gjithë vendin nga kanalet kryesore shtetërore dhe u mbulua me bollëk nga mediat aleate të Kremlinit – të ishte përplot afishe zgjedhore dhe propozime për stikera, për të ndihmuar në sigurimin e mbështetjes nga votuesit e pavendosur.

Në Rusinë e Putinit, nevoja për një gjë të tillë është shumë më e vogël.

Fushata zgjedhore është zhvilluar pa aktivitete të zakonshme, si tubimet elektorale, debatet televizive, prerje të shiritave dhe vizita në rajonet ku mendohet se mbështetja është më e vogël.

Para se Putini t’i drejtohej vendit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha vetë se fjalimi i tij mund të shihet “në një shkallë të gjerë si një program zgjedhor”. Megjithatë, Putini nuk bëri thirrje për dalje në zgjedhje, nuk i lavdëroi punëtorët zgjedhorë, e as nuk e lartësoi procesin demokratik.

Thënë këtë, Kremlini dhe administrata e tij e fuqishme presidenciale – e cila është e përfshirë në projektimin e tërë procesit zgjedhor – duken të etur për t’u siguruar se dalja e votuesve rusë në zgjedhje të jetë e lartë dhe që përqindja e votave në favor të Putinit të jetë po ashtu e lartë.

Gazeta Kommersant raportoi vitin e kaluar se këshilltarët politikë të Kremlinit synojnë një dalje në zgjedhje prej 70 për qind, ndërsa fituesi t’i marrë së paku 75 për qind të votave. Zëdhënësi i Putinit tha vitin e kaluar se ai do t’i fitonte 90 për qind të votave.

Për atë arsye, Putini njoftoi për disa masa tejet populiste: kryesorja ishte zotimi për ta dyfishuar pagën minimale mujore deri në vitin 2030 deri në 385 dollarë. Meqë inflacioni ishte rreth 7.5 për qind më 2023, kjo do të shihej si një ndihmë e qartë për shumë njerëz me pagë mesatare, megjithëse rritja do të bëhej pjesë-pjesë gjatë gjashtë vjetëve.

Paga, e cila përdoret për t’i llogaritur të gjitha llojet e subvencioneve dhe tarifave publike, është rritur tashmë për 18.5 për qind prej fillimit të vitit 2023.

Putini argumentoi gjithashtu në mbrojtje të sistemit politik të Rusisë, pavarësisht faktit se zgjedhjet në këtë vend nuk janë të lirë, as të drejta, as konkurruese e madje as transparente, sipas vazhduesve rusë dhe perëndimorë.

“Sistemi politik i Rusisë është njëri prej themeleve të sovranitetit të vendit. Ne nuk do ta lejojmë askënd të ndërhyjë në çështjet tona të brendshme”, tha Putin.

Video nga Paradoks

Zana Avdiu shuan kurreshtjen, tregon se a ka të dashur - flet për martesë e fëmijë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci