Të fundit

Vriten 7 punonjës humanitarë në një sulm ajror izraelit në Gaza

Qytetarë nga Australia, Britania dhe Polonia ishin në mesin e shtatë personave që punonin për organizatën World Central Kitchen të kuzhinierit të famshëm Jose Andres, të cilët u vranë në një sulm ajror izraelit në Gazën qendrore.

Punonjësit, në mesin e të cilëve palestinezë dhe një me shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe kanadeze, po udhëtonin me dy makina të blinduara me logon e WCK-së dhe një automjet tjetër, thuhet në një komunikatë të grupit.

Pavarësisht bashkërendimit të lëvizjeve me Forcat Mbrojtëse të Izraelit, autokolona u godit ndërsa po dilte nga magazina e saj në Deir al-Balah, pasi shkarkoi më shumë se 100 tonë ndihma ushqimore humanitare të sjella në Gaza nga deti, thuhet në njoftim.

“Ky nuk është vetëm një sulm kundër WCK-së, ky është një sulm ndaj organizatave humanitare që shfaqen në situatat më të rënda ku ushqimi përdoret si armë lufte”, tha Erin Gore, shefi ekzekutiv i organizatës World Central Kitchen.

“Kjo është e pafalshme”, tha ai.

Ushtria izraelite tha se po kryente një hetim të plotë në nivelet më të larta, për të kuptuar rrethanat e atij që e quajti një incident tragjik.

“Forcat Mbrojtëse të Izraelit po bëjnë përpjekje të mëdha për të mundësuar dërgimin e sigurt të ndihmave humanitare dhe ka punuar ngushtë me WCK-në në përpjekjet e saj jetike për të ofruar ushqim dhe ndihmë humanitare për popullsinë në Gaza”, thuhet në një njoftim të ushtrisë izraelite.

Jose Andres, i cili filloi punën e WCK-së në vitin 2010 duke dërguar kuzhinierë dhe ushqime në Haiti pas një tërmeti, më herët tha se ishte zemërthyer dhe i pikëlluar për familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën.

Izraeli “duhet t’i jap fund kufizimit të ndihmës humanitare, t’u jap fund vrasjeve të civilëve dhe punonjësve të ndihmës dhe të ndalojë përdorimin e ushqimit si armë…”, shkroi ai.

Në një deklaratë, grupi islamik Hamas tha se sulmi kishte për qëllim terrorizimin e punonjësve të agjencive ndërkombëtare humanitare, duke i penguar ata në misionet e tyre.

Kryeministri australian Anthony Albanese, konfirmoi vdekjen e punonjëses 44 vjeçare të ndihmës, Lalzaëmi “Zomi” Frankcom dhe tha se qeveria e tij ka kontaktuar Izraelin për të kërkuar që autorët të mbahen përgjegjës.

“Kjo është një tragjedi njerëzore që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, që është plotësisht e papranueshme dhe Australia do të kërkojë përgjegjësi të plotë”, tha ai në një konferencë shtypi të martën.

Kryeministri Albanese tha se civilët e pafajshëm dhe punonjësit humanitarë duhet të mbrohen dhe përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza dhe për më shumë ndihma.

“Ne jemi zemërthyer dhe thellësisht të shqetësuar nga sulmi që vrau punonjësit e ndihmës të WCK-së në Gaza”, shkroi në rrjetet sociale zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Adrienne Watson.

“Punonjësit e ndihmës humanitare duhet të mbrohen pasi ata ofrojnë ndihma që nevojiten dëshpërimisht dhe ne i bëjmë thirrje Izraelit të hetojë me shpejtësi atë që ndodhi”, shkroi ajo.

WCK-ja tha se po pezullonte menjëherë operacionet e saj në rajon dhe do të merrte vendime së shpejti për të ardhmen e punës së saj.

Organizata ofron ndihmë dhe përgatit ushqime për njerëzit në nevojë. Ajo tha muajin e kaluar se kishte shërbyer më shumë se 42 milionë racione në Gaza për 175 ditë.

Që nga fillimi i veprimtarisë në vitin 2010, organizata ka shpërndarë ushqime për komunitetet e goditura nga fatkeqësitë natyrore, refugjatët në kufirin e Shteteve të Bashkuara, punonjësit e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19 dhe në zonat e konflikteve në Ukrainë dhe në Gaza.

Video nga Paradoks

Zana Avdiu shuan kurreshtjen, tregon se a ka të dashur - flet për martesë e fëmijë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci