Sipas të dhënave preliminare, Imri Ahmeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar aktual, ka fituar 57.25 për qind të votave, pas numërimit të 53.36 për qind të votave. I dyti është Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje me 22.71 për qind të votave.
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bashkim Ramosaj, njëherësh kryetari aktual i Deçanit, është duke fituar në këtë komunë.
Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 36 për qind të votave të numëruara, Ramosaj ka fituar 72.38 për qind të votave. I dyti është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hyri Dobrunaj me 12.99 për qind të votave.
Në Suharekë, pas numërimit të 76.96 për qind të votave, kryetari aktual, njëherësh kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj ka fituar 50.52 për qind të votave, pasuar nga Adrian Shala i LDK-së me 31.20 për qind.
Në Han të Elezit, Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës ka 50.26 për qind të votave, pas 72.98 për qind të votave të numëruara. I dyti është kryetari aktual, kandidati i pavarur, Refki Suma me 42.46 për qind.
Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.
Të dhënat e publikuara në ueb-faqen e KQZ-së përfshijnë vetëm votat e rregullta dhe jo ato me kusht dhe nga jashtë Kosovës. Në komunat e tjera, përpunimi i votave është duke shkuar më ngadalë dhe ende është e paqartë nëse në to do të ketë fitues në raund të parë apo do të shkojnë në balotazh.