Të fundit

Arratisja si në filma me vrasjen e dy oficerëve: Kush është “Miza”, njeriu më i kërkuar në Evropë

Mohamed Amra, i njohur me pseudonimin (La Mouche) “Miza”, u bë njeriu më i kërkuar në Francë dhe Evropë pasi u arratis nga një furgon burgu në mesditën e së martës.

Ai njihet si “gangster” i rangut të lartë i përfshirë në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, i akuzuar për rrëmbime dhe vrasje.

Të dielën, rojet e burgut e kapën 30-vjeçarin duke u përpjekur të depërtonte hekurat e qelisë së tij në burgun e Rouenit.

Për shkak të kësaj, ai u transferua në një repart tjetër dhe rojet e ngritën nivelin e mbikëqyrjes së tij në shkallën e tretë, një nivel më i ulët se “mbikëqyrja speciale” e rezervuar për të burgosurit më të rrezikshëm të Francës, raportoi gazeta The Telegraph.

Vendimi rezultoi fatal dhe qindra oficerë policie tani janë vënë në kërkim të tij, pasi ai u arratis në një operacion të madh që e organizuan njerëz të maskuar në një autostradë mes Rouen dhe Evreux.

Miqtë e tij, të maskuar, e qitën në pritë autokolonën që po e transportonte ‘Mizën’ dhe vranë dy oficerë policie e plagosën tre të tjerë.

Pamjet e kamerave të sigurisë shfaqën një veturë Peugeot me ngjyrë të zezë duke përplasur një furgon të bardhë, ndërsa grup i sulmuesve të maskuar dolën dhe qëlluan ndaj policisë me kallashnikov. Pastaj hapën derën dhe liruan të burgosurit.

Dy policët e vrarë, siç tha një nga hetuesit për The Independent, ishin Fabrice Moello, 52-vjeçar, baba i dy fëmijëve dhe Arnaud Garcia, një burrë 35-vjeçar.

I burgosuri dhe bashkëpunëtorët e tij u larguan me dy automjete, një Audi A5 e bardhë dhe një BMW Seria 5.

Hetuesit zbuluan më vonë se të dyja automjetet ishin djegur. Më pas dyshohet se grupi është larguar me një automjet të tretë, ende të panjohur.

“Miza” përshkruhet nga shtypi francez si një kriminel i përfshirë në tregtinë ndërkombëtare të drogës midis Karaibeve Franceze dhe Francës kontinentale. Ai gjithashtu “dyshohet se ka përgatitur një atentat shkaku i trafikut të drogës ndaj një shtetasi francez në Spanjë në verën e vitit 2023”.

Të martën e kaluar, Gjykata e Magjistraturës Évreux e dënoi atë me 18 muaj burg për grabitje të rënda në periferi të qytetit Évreux midis gushtit dhe tetorit të vitit 2019.

Amra është gjithashtu nën hetim për “vrasje në tentativë dhe rrëmbim” në Saint-Étienne.

Video nga Paradoks

"Jam politikani i parë që jam deklaru publikisht që jam ateist": Dardani flet gjerësisht për bindjet e tij e hoxhallarët, bën krahasimin me vende tjera - "Bota kish qenë ma e mirë"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci