Federata e Futbollit Evropian (UEFA) e ka përjashtuar nga Kampionati Evropian dhe ia ka tërhequr akreditimin gazetarit Arlind Sadiku.
Gazetari i Klan Kosovës është përjashtuar sot me vendim të UEFA-s pas ankesës së Federatës së Futbollit të Serbisë për veprimet e tij në stadiumin Gelsenkirchen, para duelit Serbi-Angli.
Paparaci, ka mësuar se me vendimin e UEFA-s gazetari nga Prishtina nuk do të ketë autorizim për të raportuar brenda stadiumeve në Gjermani gjatë këtij Kampionati Evropian.
Gazetari kosovar, në një transmetim të drejtpërdrejtë para ndeshjes mes Anglisë dhe Serbisë, ka bërë me duar shqiponjën dykrenare para tifozëve serbë, transmeton Paparaci.
Ai tha se e bëri këtë veprim pas thirrjeve raciste të tifozëve serbë në drejtim të Kosovës dhe shqiptarëve.
Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Serbisë, Millan Vukoviq i dërgoi para dy ditësh një notë proteste UEFA-s duke kërkuar që gazetari të dënohet, si dhe kompania mediatike që ai përfaqëson.
“Pas ndeshjes me Anglinë i kam ndjekur raportet dhe kam hasur në këtë. Kërkoj reagim të menjëhershëm nga ana juaj, që të respektohen rregullat për pezullimin e akreditimit të “të ashtuquajturit” gazetar. Ai ofendoi Serbinë, tifozët serbë, poshtëroi përfaqësuesit e UEFA-s dhe mediave”, ka shkruar Millan Vukoviq.
Ndërkaq, UEFA e ka vendosur në procedurë disiplinore edhe Serbinë për shkak të banerit të shfaqur nga tifozët serb n stadiumin Gelsenkirchen të dielën, në të cilin figuron harta e Kosovës e mbuluar me flamurin e Serbisë.