Të fundit

Rrënohet ndërtesa e ish-Kooperativës në Mamushë, synohet të ndërtohet shkollë

Ndërtesa e ish-Kooperativës bujqësore në Mamushë është rrënuar. Këtë ngastër autoritetet komunale po synojnë që ta vënë në shërbim të komunitetit shkollor. Ndonëse projekti ekziston, mjetet financiare për projektin e aneksit të shkollës ende nuk janë siguruar.

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç ka bërë të ditur se ndërtesa e ish-Kooperativës është rrënuar pak javë me parë.

“Kjo ndërtesë në kohën e ish-Jugosllavisë ka shërbyer si depo e kooperativës prej nga është shpërndarë plehu kimik, nafta, farërat, etj, për nevojat e bujqësisë së kësaj ane. Pas lufte e ka humbur këtë funksion, dhe për disa vjet është përdorur nga OJQ-të lokale. Por, kohëve të fundit shkaku i vjetërsisë ndërtesa ka qenë në gjendje të palakmueshme”, ka thënë Krasniç.

Sipas tij, ideja e Komunës së Mamushës është që kjo ngastër të vihet në shërbim të arsimit.

“Plani ynë është që në këtë hapësirë të ndërtohet një aneks për nevojat e shkollës fillore ‘Anadolu’. Në këtë mënyrë synojmë që të krijojmë kushte edhe më cilësore për edukimin e nxënësve tanë. Projektin e kemi përgatitur, dhe lidhur me këtë çështje kemi bërë kërkesë zyrtare me shkrim në Ministrinë e Arsimit, por deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje”, ka deklaruar Krasniç.

Kryetari Krasniç edhe në paraqitjet e mëhershme ka theksuar se ndër prioritetet e tij krahas zhvillimit ekonomik e mirëqenies janë edhe arsimi, shkenca, kultura dhe arti, meqë këto janë parakushte për zhvillimin e përparimin e komunitetit.

Komuna e Mamushës është një komunë e karakterit rural që ka vetëm një vendbanim të  përbërë nga disa lagje, ku jetojnë kryesisht pjesëtarët e komunitetit turk, derisa në përqindje më të vogël ka edhe shqiptarë, por edhe pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Video nga Paradoks

Çka ndodhi mes Vehbi Kajtazit e Adem Grabovcit pas zbulimit të aferës PRONTO? Grabovci: M'ka shkaktu problem serioz, kom pas problem me mbrojtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci