Të fundit

Presidenca e radhës e Hungarisë shqetëson Brukselin

Hungaria e kryeministrit, Viktor Orban do të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian për gjashtë muaj më 1 korrik, një perspektivë që shqetëson Brukselin, ku bllokimet e përsëritura në Budapest shqetësojnë më shumë se një shtet anëtar.

Këshilli i BE-së mbledh të 27-ët në nivel ministror, ​​në varësi të temave me të cilat duhet të merren.

Ai drejtohet me radhë për gjashtë muaj nga një prej vendeve anëtare të BE-së.

Dhe, nga Ukraina te shteti i së drejtës e deri te imigracioni, lista është e gjatë e subjekteve ku Hungaria ka vënë veton ose bllokuar një vendim për javë të tëra, gjatë diskutimeve brenda Këshillit.

”Rreth 40% e vendimeve të kërkuara nga BE-ja për Ukrainën janë të bllokuara”, tha ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis në Bruksel në fund të majit.

Që atëherë, gjërat kanë përparuar pak, me Budapestin që më në fund ra dakord për hapjen zyrtare të negociatave të pranimit me Kievin, që do të nisin nesër.

Por, ndihma ushtarake e BE-së për Ukrainën, që arrin në 6,6 miliardë euro, është ende e bllokuar.

Dhe presidenca e ardhshme hungareze me sa duket nuk ka ndërmend të heqë veton e saj.

“Ne kemi nevojë për qartësi për këtë temë”, tha këtë javë ambasadori hungarez në BE Balint Odor duke paraqitur prioritetet e vendit të tij për gjashtë muajt e ardhshëm.

Më pas ai donte të ishte qetësues kur tha se ”do të jetë një presidencë si çdo tjetër, ne do të veprojmë si ndërmjetës të paanshëm”.

Megjithatë, slogani i zgjedhur nga Budapesti për gjashtë muajt e presidencës së tij tregon ngjyrën politike me “Make Europe Great Again” (“Ta bëjmë Evropën sërish të madhe”)

Një formulë jo e parëndësishme në Bruksel, kur dihet slogani i ish-presidentit amerikan Donald Trump ”Make America Great Again”.

“Provokim total”, përmbledh Andreas Bock, eksperti hungarez në institutin e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (ECFR).

“Ky slogan tregon se ku Orban dëshiron ta udhëheqë BE-në, drejt autokracisë”, protestoi eurodeputeti gjerman Daniel Freund.

Por, për Budapestin nuk duhet të ketë asnjë aludim për të.

”Motoja jonë i referohet idesë së një presidence aktive dhe praktike, faktit që jemi më të fortë së bashku, duke respektuar identitetin tonë”, deklaroi të martën ministri i Çështjeve Evropiane, Janos Boka.

I pyetur për lidhjet me lëvizjen MAGA të ish-presidentit amerikan, ai është përgjigjur me shaka.

”Me sa di unë, Donald Trump kurrë nuk ka dashur ta bëjë Evropën të fortë”, tha ai.

Presidenca e radhës e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian i lejon vendit që e mban të kontrollojë axhendën e mbledhjeve.

”Është një pushtet domethënës, por jo absolut”, nënvizuan disa diplomatë evropianë.

”Ne mund ta krahasojmë këtë rol me atë të një personi që organizon një darkë, i cili siguron që të ftuarit të bashkohen në harmoni, duke qenë në gjendje të shprehin dallimet gjatë vaktit, përpara se të largohen me marrëdhënie të mira dhe me një qëllim të përbashkët në mendje”, shtojnë ata.

Por, a do ta luajë vërtet Hungaria lojën?

“Hungarezët do të përpiqen të jenë super profesionistë”, tha një diplomat evropian i mësuar me negociatat midis 27-ve për këtë pikë.

Aq më tepër që presidenca e tyre do të ketë një agjendë shumë më pak të ngarkuar se ajo e mëparshme.

”Në muajt e ardhshëm, institucionet europiane do të fokusohen në shpërndarjen e pozicioneve dhe emërimin e Komisionit të ri, i cili do të reduktojë aktivitetin legjislativ”, thekson Andreas Bock.

Kjo ndoshta nuk do ta pengojë Viktor Orbanin, të cilit i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, të përpiqet të “lënë gjurmë” gjatë këtyre gjashtë muajve, sipas diplomatit.

”Mund të presim një presidencë të Këshillit të BE-së me disa thekse hungareze”, përmbledh Andreas Bock.

Çështja e fondeve të bllokuara nga Brukseli rrezikon të varet gjatë këtyre gjashtë muajve.

BE-ja aktualisht po ngrin rreth 19 miliardë euro të destinuara për Hungarinë si pjesë e procedurave të ndryshme, të lidhura me dështimet e akuzuara të Budapestit për sa i përket të drejtave të personave LGBT+, azilkërkuesve dhe luftës kundër korrupsionit.

Video nga Paradoks

Çka ndodhi mes Vehbi Kajtazit e Adem Grabovcit pas zbulimit të aferës PRONTO? Grabovci: M'ka shkaktu problem serioz, kom pas problem me mbrojtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci