Kryeministri Kurti, ministri serb në Qeverinë e Kosovës, një serb i Kosovës, në një tavolinë. Gjithçka do të dukej normale po të mos diheshin lidhjet e këtij të fundit me kriminelë lufte.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, janë fotografuar me Goran Vasiljeviç, një serb i Kosovës, një figurë kontroverse, madje edhe punonjës në institucionet e Kosovës, gjë që e bën këtë takim delikat.
Ky takim, i cili duhet të jetë nga koha e pandemisë Covid-19, ka ngjallur një shqetësim të madh, duke marrë parasysh figurën e Goran Vasiljeviç dhe aktivitetet e tij të dyshimta, për të cilat në vitin 2023 kishte raportuar ekskluzivisht Paparaci.
Prania e tij në një tavolinë me kryeministrin e Kosovës duhet të alarmojë për shkak të së kaluarës së errët që e shoqëron Vasiljeviçin.
Në vitin 2023, Paparaci zbuloi fakte të tmerrshme që lidhnin Goran Vasiljeviç me kriminelë lufte të profilit të lartë, duke përfshirë edhe Nebojsha Pavkoviq, ish-komandantin e Zonës së Tretë të ish-ushtrisë jugosllave.
Pavkoviq është dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës me 22 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës shqiptare të Kosovës.
Por, lidhjet e Goran Vasiljeviçit nuk përfundojnë me Pavkoviqin. Në të njëjtën fotografi, shihet edhe Dragan Vasiljeviq, i njohur si “Kapetan Dragan”, një tjetër figurë e njohur për përfshirjen e tij në operacione gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Kjo lidhje e ngushtë me individë të dënuar dhe të akuzuar për krime lufte, krijon një hije të errët mbi aktivitetet e Vasiljeviçit në Kosovë dhe përfshirjen e tij në institucionet e shtetit.
Një tjetër akuzë e rëndë që rëndon mbi Goran Vasiljeviç është përfshirja e tij në një projekt filmik të financuar nga Ministria e Kulturës së Serbisë, një projekt me qasje të fortë propagandistike kundër Kosovës.
Filmi për Betejën e Kosharës përshkruan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si një organizatë terroriste, duke mohuar përpjekjet e saj për liri dhe drejtësi.
Sipas informacioneve të siguruara nga Paparaci, Vasiljeviç ka marrë pjesë aktivisht në realizimin e këtij filmi, duke ndihmuar ekipin xhirues të filmit të arrijë në zonën e Kosharës dhe madje është fotografuar pranë bazës ushtarake të UÇK-së.
Për më tepër, Vasiljeviç është i njohur për pjesëmarrjen e tij në tubime nacionaliste serbe, ku janë promovuar mesazhe të urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Përkundër këtyre, Goran Vasiljeviç vazhdon të punojë në institucionet e Kosovës. Ai ka një kontratë në ministrinë e udhëhequr nga Liburn Aliu, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Fotografitë e Goran Vasiljeviç në rrjetet sociale që përmbajnë simbole nacionaliste serbe kanë forcuar më tej dyshimet rreth motiveve të tij dhe angazhimeve të tij në Kosovë./Paparaci