Pas arritjes së marrëveshjes për kredi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në dhjetor të 2022-tës për blerjen e autobusëve të rinj nga Komuna e Prishtinës, flotës aktuale prej 51 autobusë pritej t’i shtoheshin edhe 30 tjerë.
Por gjatë javës, u publikua lajmi se ky proces u pezullua përkohësisht nga ana e BERZh-it, kjo për shkak të ndryshimeve në ndërmarrjen e Trafikut Urban, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Nga Komuna e Prishtinës, por edhe nga Ndërmarrja e Trafikut Urban, mohojnë zërat se BERZh-i ka ndalë përkohësisht financimin e flotës së re të autobusëve në kryeqendrën e vendit.
Sipas tyre, në takimin e fundit me përfaqësuesit e Bankës, këta kanë rikonfirmuar mbështetjen dhe vazhdimin e procedurave për blerjen e 30 autobusëve të rinj.
Por, ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, po thotë se deri në pezullimin e këtij procesi erdhi për shkak të mos vazhdimit në mënyrë të duhur të këtij projekti, të cilin ky e kishte lënë në gjysmë.
Sipas tij, gjithë puna për autobusët e rinj ka nisur që nga zero pas marrjes së detyrës së Bekim Brestovcit. Musliu thotë se kishte lënë gati gjithçka, dhe se pasardhësi i tij duhej vetëm të priste ardhjen e tyre.
Goxha shqetësuese ndërprerja e këtij procesi po shihet edhe në syrin e një monitoruesi. Sipas Valmir Ilazit, “ky pezullim është një masë me të cilën do të duhej që të merren disa masa të tjera, që të vazhdojnë sigurimin e procesit pa hasur në pengesa të tjera”.
Ilazi thotë se ekzekutivi prishtinas bashkë me ndërmarrjen e Trafikut Urban, “duhet të angazhohen më shumë, për të siguruar që çdo hap të jetë në përputhje me marrëveshjen dhe në interes të qytetarëve, të Prishtinës”. /Klankosova.tv.