Drejtori i Investimeve Kapitale në Prishtinë, Krenar Xhaferi ka folur për projektin madhor që ka nisur të mërkurën në Prishtinë.
Ai ka thënë se ishulli urban i Arbërisë do t’i sjellë zhvillim të rëndësishëm Prishtinës.
“Sot kemi nisur zyrtarisht punën për realizimin e një projekti madhor që do të sjellë një zhvillim të rëndësishëm për Prishtinën – ishullin urban të Arbërisë! Bashkë me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Kryetarin e Prishtinës, Perparim Rama, përuruam punimet e këtij projekti që paraqet një transformim të vërtetë për kryeqytetin”, ka shkruar ai.
Sipas tij, projekti në fjalë do të lidhë Arbërinë me qytetin në një mënyrë të sigurt dhe moderne, duke eliminuar nevojën që qytetarët të kalojnë mbi hekurudhë. Ndërkohë, qarkullimi i makinave në rrugën kryesore do të bëhet më i lehtë dhe më efikas.
“Ishulli i ri urban do të sjellë një hapësirë të gjelbër dhe të përbashkët për banorët, një hapësirë estetike që shërben si urë lidhëse për mbi 30 mijë banorët e Arbërisë me qendrën e qytetit. Kjo është më shumë se një zgjidhje infrastrukturore – është një vizion për një Prishtinë më të gjallë dhe më moderne”, ka thënë Xhaferi.
“Këtë rrugëtim do të vazhdojmë me përkushtim dhe vendosmëri, duke u angazhuar pa ndërprerje për një qytet që i shërben më së miri çdo qytetari”.