Policia i ka konfirmuar raportimet e Gazetës Paparaci se një person është gjetur pa shenja jete në qytetin e Gjilanit.
Viktima është gjetur i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit”, teksa emergjenca e Spitalit të Gjilanit ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete.
I ndjeri, i lindur në vitin 1987, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.
“Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987 është qëlluar nga armë zjarri. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit”, ka thënë për Paparacin Ismet Hashani, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.