Të fundit

Përse humbi Harris: Kandidate e dobët apo fushatë e lodhët?

Gati një muaj më parë, Kamala Harris u paraqit në emisionin “The View” të ABC-së, në atë që pritej të ishte intervistë miqësore që do t’i jepte mundësi ta tregonte veten para amerikanëve që donin të mësonin më shumë rreth saj.

Mirëpo ajo intervistë u la në hije nga përgjigja në pyetjen se çfarë do të kishte bërë diçka ndryshe prej presidentit aktual, Joe Biden.

“Nuk më vjen asgjë ndërmend”, qe përgjigja e saj që tronditi të gjithë, shkruan BBC.

Përgjigja e Harris, e cila u bë cak i sulmeve të republikanëve -tregoi disponimin politik që ekipi i saj i fushatës dështoi ta tejkalonte për ta shmangur humbjen vendimtare nga Donald Trumpi të martën.

Publikisht e ka pranuar humbjen të mërkurën pasdite, duke u thënë përkrahësve të saj që të mos zhgënjehen.

Por arsyet se ku shkoi gabim apo çfarë ka mundur të bënte, do të marrë më shumë kohë teksa demokratët kanë nisur të kërkojnë përgjigjet dhe të bëjnë pyetje për të ardhmen e partisë.

Si zëvendëspresidente aktuale, Harris e pati të pamundur të ndahej nga një president jo i popullarizuar dhe të bindë votuesit se mund të ofronte ndryshimin që ata po e kërkonin në kohën e ankthit ekonomik që po përjetojnë.

Bagazhi i Bidenit

Pasi Bideni braktisi garën kur qe shumë i dobët në debatin presidencial, Harris pritej të ishte bileta e demokratëve.

Ajo nisi fushatën 100 ditëshe duke premtuar gjeneratë të re të udhëheqjes, duke tubuar gratë përreth të drejtave të abortit dhe duke premtuar se do të fitonte përkrahjen e klasës punëtore.

Kur i kishin mbetur veç tre muaj fushatë, ajo fitoi momentumin në të cilin u përkrah edhe nga yjet si Taylor Swift.

Por Harris nuk mundi të shkundte ndjesinë kundër Bidenit që e kishte mbërthyer krejt elektoratin.

Përkrahja për Bidenin ka rënë vazhdimisht në katër vjetët e mandatit, dy të tretat e votuesve besonin se SHBA-ja nuk ishte në rrugën e duhur.

Shumë demokratë privatisht kanë pyetur nëse Harris mbeti shumë besnike ndaj Bidenit në përpjekje për ta zëvendësuar.

Harris ka tentuar që të mbrojë punën e administratës pa përmendur shefin e saj, por kështu tregoi se nuk mund të largohej nga politikat e Bidenit.

Mirëpo ajo pastaj dështoi të argumentonte masën se përse është ajo që duhet t’i prijë shtetit dhe se si do të menaxhonte gjendjen ekonomike dhe shqetësimet rreth imigracionit.

Bumerangu rreth Trumpit

Edhe kur u shpall kandidate, Harris bëri përpjekje që garën ta cilësonte si referendum për Trumpin dhe jo Bidenin.

Por ekipi i saj preferoi të largohej nga argumenti i Bidenit se Trumpi përbën kërcënim ekzistencial për demokracinë, duke vendosur që të përçonte mesazhe më pozitive për mbrojtjen e lirive personale dhe ruajtjen e klasës së mesme.

Në javët e fundit, Harris mori një vendim taktik që përsëri të shpërfaqte rrezikun nga presidenca e Trumpit, duke e cilësuar atë “fashist”.

Edhe kjo iu kthye bumerang.

Votuesit dinin gjithçka për Trumpin, por dëshironin të mësonin më shumë rreth planeve të Harrisit për ditën e parë, muajin e parë apo vitin e parë të saj si presidente.

Video nga Paradoks

Audio-incizimi: Gërvalla premton që do t’i sjellë para bordit dy agjentët e AKI-së

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci