Mesfushori Zymer Bytyqi është shprehur i lumtur që është ftuar përsëri te përfaqësuesja e Kosovës teksa ka shtuar se e kishte marrë malli për të qenë pjesë e ekipit.
Ai ka thënë se ndeshja me Rumaninë është shumë e rëndësishme dhe shpreson për rezultat që do ta vendoste Kosovën në pozitën e parë në grup në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë i kënaqur që më kanë thirr përsëri, e kam ndier njëfarë mërzie (malli) për me qenë këtu me djemtë tanë dhe për të luajtur për Kombëtaren tonë. Tash jam këtu dhe jam shumë i kënaqur”, ka thënë Bytyqi.
“Ta them të drejtën, është si një fillim i ri, ka plot lojtarë të rinj që kanë ardhur dhe që do të gëzohem që t’i njoftoj”, ka shtuar ai.
“Rëndësia është shumë e madhe për këtë lojë, besoj se do ta japim maksimumin tonë. Shpresoj që do ta kemi një rezultat të mirë që na ndihmon ta fitojmë këtë grup”.