Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “ia doli”, sipas fjalëve të saj, pavarësisht kaosit në botë dhe Evropë, që për herë të parë në histori, Serbia të jetë “si një oazë e paqes dhe stabilitetit”, të cilën, sipas saj, e kishte premtuar kur është kandiduar për president.
“Dhe ai e përmbushi këtë në kohët më të vështira për Evropën dhe botën për ta bërë Serbinë një oazë paqeje dhe stabiliteti”, ka thënë Bërnabiq për televizionin në shërbim të regjimit serb “Happy”, duke përmendur “rritjen e pensioneve, pagave dhe nivelin rekord të investimeve të huaja direkte”, ka thënë Bërnabiq, transmeton Paparaci.
Ajo ka thënë se “është plotësisht e qartë se disa duan destabilizimin e Serbisë, edhe nëse bota është paqësore dhe stabile”. “Dikush nuk do të donte që Serbia të udhëheqë një politikë të pavarur dhe duket se kudo ka kaos, ndërsa Serbia arrin të mbijetojë dhe të përparojë”, shtoi ajo.
“Kjo është arsyeja pse ne po shohim presione të paprecedentë këto ditë dhe javë, një luftë hibride të pabesueshme, të tmerrshme kundër Serbisë, vetëm për ta tronditur Serbinë, për ta destabilizuar atë dhe për t’u bërë pjesë e kaosit të përgjithshëm”, ka thënë ajo.
Dhe ka shtuar: “Ata e dinë se Vuçiqi është pengesë për të gjitha këto dhe për këtë arsye janë të gjitha këto sulme ndaj tij”.
Lidhur me brohoritjet në protesta “Vrasës, duart tuaja janë të përgjakur”, kjo kampione serbe në servilizëm ndaj liderit të saj suprem ka deklaruar se përshtypja e saj më e madhe ishte se “është e dhimbshme të shikosh se çfarë po përjeton Vuçiqi”./Paparaci.com