Shtypi serb e konsideron “rival të pakëndshëm” Shqipërinë, një nga katër kundërshtarët e saj në Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës.
Gazeta opozitare serbe Nova, shkruan se shorti në Cyrih të Zvicrës e vendosi Serbinë përball dy rivalëve të pakëndshëm, Anglisë dhe Shqipërisë dhe dy rivalëve të tjerë “që i dëshironin pothuajse të gjithë në Evropë”.
Dy rivalët e tjerë janë Letonia dhe Andorra.
Nova, në shkrimin e saj, e cilëson “më të pabarabartin” Grupin K.
“Serbia pret anglezët dhe shqiptarët në grupin më të pabarabartë për Kupën e Botës: Dy rivalë të pakëndshëm dhe dy që i donin të gjithë në Evropë”, shkruhet në titullin e mediumit serb.
Ndërkaq, mediumi afërt me regjimin autoritar të Aleksandar Vuçiqit, Kurir.rs shkruan se kombëtarja serbe ka rënë në një grup të vështirë.
“SERBIA NE GRUP ME SHQIPERINË DHE ANGLINË! Shqiponjat kanë një rrugë të vështirë drejt Kupës së Botës!”, shkruan Kurir.