Izraelit i është hapur rruga që të realizojë një prej sulmeve vendimtare kundër programit bërthamor të Iranit, duke eliminuar krejt infrastrukturën ushtarake të Sirisë pas rënies së regjimit të Assadit.
Forcat ajrore dhe detare të Izraelit besohet se kanë shkatërruar rreth 80 për qind të pajisjeve ushtarake të Sirisë qëkur rebelët islamistë pushtuan Damaskun të dielën.
Izraeli ka shkatërruar edhe sistemet e mbrojtjes ajrore që deri më tani janë përdorur për të ruajtur Iranin nga çfarëdo sulmi.
Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, për një kohë të gjatë ka bërë thirrje që të ndalet programi bërthamor i Iranit, por ishte përballur me rezistencë nga ushtarakët e tij dhe vetë SHBA-ja.
Mirëpo rënia e Assadit e kombinuar me faktin se Irani tashmë është dobësuar fort me shpërbërjen e Hezbollahut në Liban, i ka krijuar mundësi unike Izraelit që të sulmojë Iranin.
“Irani është në pikën më të dobët në 30 vjetët e fundit. Krejt organizatat terroriste që i ka financuar janë shkatërruar. Tani është mundësia për sulmin që do ta destabilizonte regjimin djallëzor në Teheran”, ka thënë një burim për gazetën e njohur britanike “The Telegraph”.
Netanyahu besohet se ka marrë përkrahjen e presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump për të organizuar sulmin./Paparaci.