Nuk kanë kaluar dhjetë ditë nga viti i ri dhe Myrto Uzuni është përfshirë në telenovelën e parë të merkatos dimërore.
Largimi nga Granada i sulmuesit shqiptar është ende në ajër.
Ndërkohë, skuadra po përgatitet për ndeshjen e radhës në La Liga 2 ndaj Burgos këtë të premte, ndeshje në të cilën shqiptari nuk do të jetë aty me vendim të tij, derisa e ardhmja e tij të zgjidhet.
Siç raportuan mediat spanjolle këtë të mërkurë, Uzuni ka një ofertë të majme në tavolinë nga Austin FC, klub i Major League Soccer, kategorisë së parë amerikane.
Kjo ofertë tani për tani duket se e bind sulmuesin në planin personal për shkak të pagës voluminoze që ofrojnë amerikanët, por jo Granadan, e cila mbetet e vendosur të paguhet klauzola 12 milionë euroshe e Uzunit, ndërsa oferta e klubit nga Teksasi është rreth 10 milionë.
Ashtu si çdo punëtori që i ofrohet më shumë se dyfishi i asaj që fiton aktualisht, është një ofertë që tundon. Duke marrë parasysh moshën e tij (Uzuni do t’i mbushë 30 vjeç në maj) ndoshta do të ishte ‘kontrata e fundit e madhe’ teksa i afrohet muzgut të karrierës së tij. Sigurisht, mënyrat dhe koha në të cilën po ndodh gjithçka nuk janë më të mirat për vetë klubin dhe veçanërisht për tifozët.
Fakti që lojtarët e tjerë më pak të rëndësishëm se ai, si sulmuesi Weissman apo mesfushori ofanziv Reinier, fitojnë më shumë është një tjetër faktor që e largon Uzunin nga Granada dhe e ka shqiptarin mes dy ujërave, ku Spanja dhe Granada janë një destinacion shumë më tërheqës dhe aktualisht shtëpia e tij. E thënë sentimentalisht, shtëpia e tij është në Granada, por profesionalisht ai ka një ofertë që është e vështirë të refuzohet dhe nuk duhet të harrojmë që të jesh futbollist është në fund të fundit një vend pune, edhe nëse përfshihen shumë faktorë emocionalë.
Lojtari sakrifikoi Evropianin për të luajtur për Granadën dhe ai është golashënuesi më i mirë i huaj i klubit.
Sulmuesi, i cili nuk është stërvitur me klubin ditëve të fundit, ka reasguar të enjten përmes një postimi në rrjetet sociale duke garantuar dashurinë e tij për klubin dhe duke thënë se çdo histori ka dy anët e saj dhe se tifozët duhet ta dëgjojnë versionin e tij.
“Njerëzit që më njohin nuk duhet të dyshojnë kurrë në dashurinë që ndjej për këtë ekip dhe këtë qytet”, ka shkruar Uzuni.
Në një nivel konkurrues, ka gjithashtu shumë dallime midis futbollit spanjoll dhe atij amerikan. Problemi është se klubi bardhekuq po përpiqet të arrijë pritshmëritë e pagës që lojtari e konsideron se e meriton, por ka një konkurrent të gatshëm për të investuar te Uzuni, i cili me vendim të tij e ka lënë veten jashtë skuadrës deri në zgjidhjen e situatës.
Këtë të enjte në konferencë për media, trajneri Fran Escriba ishte i prerë dhe i qartë për çështjen Uzuni.
“Kur u kthyem nga pushimet, Uzuni erdhi dhe më tha se nuk e shihte veten në gjendje të stërvitej. Nëse lojtari pretendon se nuk është i disponueshëm për t’u stërvitur, unë nuk mund të bëj asgjë. Ai që nuk është në gjendje është më shumë barrë se sa ndihmë, më mirë të mos jetë”, tha tekniku spanjoll, ndaj duket se shqiptari është më shumë jashtë sesa brenda.
Logjikisht, trajneri shpjegoi se askush nuk është mbi klubin.