Fortesa Orana, Vlera Qerimi, Mërgim Bekteshi e Betim Maliqi, rrezikojnë të mbesin jashtë Kampionatit Botëror të Karatesë për shkak se iu pamundësua pjesëmarrja në kampionatin e karatesë, Karate 1 Series, që organizohet në Tbilis të Gjeorgjisë.
Katërshja kosovare nuk u lejua të futet në shtetin e Gjeorgjisë për shkak të një problemi me viza.
Ndonëse karateisti Maliqi pohon se kanë qenë të pajisur me leje për hyrje-dalje, atyre nuk iu pamundësua hyrja në shtetin e Gjeorgjisë.
Vetë Maliqi, i cili e ka bërë të ditur këtë problem në rrjetin e tij social, ka thënë se nuk dihen arsyet përse nuk janë lejuar të marrin pjesë.
Ai ka thënë se është dashur të kthehen në Kosovë edhe pse kanë pritur rreth 12 orë për një përgjigje nga autoritetet gjeorgjiane.
“Sonte do duhej te ishim ne Tbilisi (Gjeorgji) bashkë me ekipin e përfaqësueses, por fati nuk ishte as kësaj here në anën tonë, ky “fat” që po na përcjellë qe një kohë të gjatë po i bartë pasojat te ne garuesit dhe vazhdojmë te mos e dim ku të drejtojmë gishtin!
4 garues të Kosovës, Fortesa Orana, Vlera Qerimi dhe Mergim Bekteshi bashkë me mua u ndaluam rrugës për Tbilisi ku gjatë kësaj jave do te mbahet Serie A, garë kjo shumë e vlefshme për mbledhjen e pikëve për kualifikim në Kampionat Botëror. Me arsyen se kemi mungesë të vizave, por që ne ishim të pajisur me leje-hyrje nga autoritetet e atij shteti. Nuk mjaftuan tentimet e garuesve që në gjitha format vazhduam pothuajse 12 orë për të marrë një përgjigjje pozitive dhe si rrjedhojë përfunduam në shtëpitë tona”, thuhet në reagimin e Maliqit në Facebook.
Kjo nuk është hera e parë që sportistët kosovarë përballen me kësi probleme, ndonëse me liberalizimin e vizave problemet janë ulur ndjeshëm.
Që rastet e tilla të mos përsëriten, Maliqi ka kërkuar reagime nga autoritetet kosovare.
“Nuk është hera e parë që ne garuesit përballemi me këso sfida por shpresojmë që të jetë e fundit. Këto maltretime duhet të merren për bazë nga autoritetet tona më lartë ngase djersa e sportistit përmban sakrificë, kohë, mund, gjak dhe ka shume kosto. Secili nga këta 4 garues ishim me mjete vetanake të paraqitur në garë ku kosto e saj gati ka arritur shumën prej 1000 eurosh, andaj është mëkat ndaj gareusve dhe shpresojmë që kjo çështje të trajtohet shumë seriozisht”, thuhet në reagimin e tij.