Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që të anulojë zgjedhjet në komunën e Hanit të Elezit, ku për rrjedhojë do të ketë rivotim.
PZAP-ja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kryetarit të kësaj komune, Rufki Suma.
“Procesi i votimit do të përsëritet vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Në zgjedhjet e 17 tetorit, në Han të Elezit iu dha fund qeverisjes 14-vjeçare të kandidatit të pavarur, Rufki Suma, duke u mposhtur nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Mehmet Ballazhi.
Ballazhi i PDK-së doli fitues me 50.98 për qind të votave të përgjithshme, ndërsa Suma i dyti me 42.47 për qind të votave.