Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj rezultateve preliminare të zgjedhjeve në Kosovë, duke pretenduar se po bëhen manipulime për t’i siguruar një mandat partisë së Nenad Rashiqit në kurriz të Listës Serbe.
Në një intervistë për televizionin në shërbim të regjimit të tij, “TV Pink”, Vuçiqi falënderoi serbët e Kosovës për mbështetjen që i dhanë Listës Serbe, duke theksuar se kjo parti ka fituar mbi 43 mijë vota. Ai akuzoi se votat nga komunat me shumicë shqiptare po përdoren për të rritur rezultatin e partisë së Rashiqit dhe e cilësoi këtë proces si “vjedhje të pastër”, transmeton Paparaci.
Vuçiqi kritikoi gjithashtu zyrtarët e Bashkimit Evropian që përshëndetën procesin zgjedhor, duke ironizuar vlerësimet se zgjedhjet u zhvilluan në atmosferë demokratike. Sipas tij, arrestimet e disa serbëve gjatë periudhës zgjedhore hedhin dyshime mbi standardet demokratike të procesit.
“E shoh se Evropa është tejet e gëzuar për zgjedhjet demokratike dhe për atë se serbët janë arrestuar gjatë zgjedhjeve. Po mendoj për Martën (Kos) dhe të tjerët, kështu që edhe unë i përgëzoj ata për demokracinë e tyre”, ka tentuar të bëhet ironik Vuçiqi.
Ai shprehu mbështetje për Listën Serbe dhe përfaqësuesit e saj, duke theksuar se Beogradi do të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë.
Sipas rezultateve paraprake të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, Lista Serbe prin mes subjekteve politike të komunitetit serb me mbi 43 mijë vota, ndërsa partia e Rashiqt ka siguruar mbi 5 mijë vota. Ndarja përfundimtare e mandateve do të përcaktohet pas përfundimit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve./Paparaci.com
