Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se prioriteti kryesor i Shteteve të Bashkuara në raport me Iranin mbetet parandalimi i zhvillimit të armëve bërthamore, pavarësisht qëndrimeve që mund të ketë Izraeli ndaj një marrëveshjeje të mundshme mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Në një intervistë për Fox News, Vance tha se SHBA-ja dhe Izraeli ndajnë shumë interesa të përbashkëta, por pranoi se në disa raste objektivat e dy vendeve mund të mos jenë të njëjta. Ai theksoi se administrata amerikane beson se ekziston mundësia për të arritur një zgjidhje afatgjatë për programin bërthamor iranian.
“Objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara është të sigurohet që Irani të mos ketë armë bërthamore. Izraelit mund t’i pëlqejë kjo, mund të mos i pëlqejë, por ne besojmë se është në interesin më të mirë të SHBA-së”, u shpreh Vance.
Deklarata vjen në një kohë kur mediat amerikane kanë raportuar për tensione të herëpashershme mes presidentit Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
