Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një sërë parregullsish në procedurat e prokurimit publik në Komunën e Podujevës, të udhëhequr nga kryetari Shpejtim Bulliqi.
Sipas raportit të auditorit, gjetjet lidhen me mosrespektim të kritereve të tenderëve dhe tejkalime të mëdha të vlerave të planifikuara buxhetore.
Në një nga rastet e analizuara, një kompani ishte shpallur fituese për projektin “Rregullimi i infrastrukturës së varrezave të qytetit”, me vlerë rreth 1 milion e 155 mijë euro. ZKA ka konstatuar se operatori ekonomik nuk kishte dorëzuar dokumentin e kërkuar për qarkullimin vjetor nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), me minimumin e përcaktuar prej 1.7 milion euro, megjithatë ishte shpallur fitues.
Po ashtu, për këtë projekt, në Ligjin e Buxhetit ishte parashikuar një shumë prej 50 mijë eurosh, ndërsa kontrata përfundimtare kapte vlerën mbi 1.1 milion euro, duke shënuar një tejkalim të konsiderueshëm të planifikimit fillestar.
Parregullsi të ngjashme janë evidentuar edhe në tenderin “Ndërtimi i parkut industrial bujqësor në Sfeqël”, me vlerë rreth 1.356 milion euro. Sipas ZKA-së, operatorit fitues i ishte kërkuar certifikata ISO 9001:2015, por ai kishte dorëzuar ISO 14001:2015. Megjithatë, ai ishte shpallur fitues.
Për këtë projekt, buxheti fillestar ishte parashikuar rreth 400 mijë euro, ndërsa kostoja përfundimtare ka arritur në 1.356 milion euro, duke tejkaluar planifikimin për rreth 956 mijë euro.
Edhe në projektin “Ndërtimi i kuzhinës qendrore për fëmijë në çerdhe dhe nxënës të shkollave në Podujevë”, me vlerë rreth 698 mijë euro, ZKA ka gjetur mospërputhje në dokumentacionin e kërkuar. Në vend të certifikatës ISO 50001:2018, operatori kishte dorëzuar një certifikatë tjetër (PAS 99:2012), e cila nuk e plotësonte kriterin e kërkuar.
Ky projekt, sipas të dhënave të auditimit, ishte planifikuar në vlerë prej 190 mijë eurosh, por kostoja përfundimtare ka arritur rreth 698 mijë euro.
Në raport theksohet se për këto gjetje, Komuna e Podujevës është përgjigjur me një fjalë të vetme: “Pajtohemi”.
ZKA vlerëson se këto parregullsi kanë cenuar parimet e transparencës, barazisë dhe efikasitetit në procedurat e prokurimit publik. Raporti është pranuar nga komuna më 20 maj 2026.


