Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar rezultati i zgjedhjeve dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë të PDK-së.
Sipas njoftimit nga PDK-ja, Kryesia vlerësoi se pjesëmarrja më e ulët në procesin zgjedhor, krahasuar me ciklet e kaluara me rreth 200 mijë votues më pak, përbën një sinjal serioz që reflekton lodhjen e qytetarëve nga krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimin e madh shoqëror dhe zhgënjimin e akumuluar gjatë viteve të fundit.
“Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe ndikimi i rrethanave të përgjithshme politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor. Masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve u vlerësua se kanë ndikuar në krijimin e perceptimit te një pjesë e elektoratit opozitar se rezultati zgjedhor ishte i paracaktuar, duke ndikuar në dekurajimin e tyre për të dalë në votime”, thuhet në njoftim.
Pavarësisht këtyre rrethanave, Kryesia vlerësoi se PDK-ja mbetet subjekti më i madh opozitar, duke ruajtur përqindjen e përfaqësimit politik, me mundësi rritjeje të lehtë të numrit të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, theksoi se gjatë periudhës së fundit, PDK-ja është përballur me procese të shumta zgjedhore të njëpasnjëshme, duke mos pasur hapësirën dhe kohën e nevojshme për riorganizim dhe konsolidim të strukturave të saj.
“Në këtë mbledhje, Kryesia diskutoi edhe proceset e ardhshme, përfshirë zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të jenë të hapura, fer dhe gjithëpërfshirëse, me synim krijimin e hapësirës për ide të reja, energji të reja dhe përfshirje më të madhe të gjeneratave të reja në strukturat drejtuese të PDK-së”, thuhet më tej.
Kryesia diskutoi mundësinë që procesi i brendshëm zgjedhor të fillojë në shtator 2026.
Po ashtu, u ritheksua edhe rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-liderëve të PDK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre, si një proces me rëndësi të veçantë për lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e Kosovës.
