Liburn Aliu nuk e ka konsideruar si diskriminuese apo favorizuese një marrëveshje që e lidhi sot me Kolegjin UBT, në të cilin ministri punon si profesor.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ditën e sotme firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji, në të cilin ai ka ushtruar funksionin e profesorit.
Për këtë mori kritika të ashpra. Një të tillë ia adresoi edhe Shkëlzen Gashi, ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti. Gashi, ngriti dyshime për konflikt interesi në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.
Megjithatë ministri Aliu nuk e ka thënë asnjë fjalë për konfliktin e mundshëm të interesit, në të cilin mund të gjendet ai. Ai ka komentuar kritikat për diskriminimin e Universitetit të Prishtinës dhe favorizimit të një institucioni privat të arsimit universitar.
Aliu, thotë se në pamundësi për ta realizuar këtë sot, nënshkrimi i bashkëpunimit me UP-në është shtyrë për ditën e nesërme.
“Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan t’i realizojmë”, shkroi ai në Facebook.
“Jemi të perkushtuar që me transparencë të plotë, të bashkëpunojmë me të gjitha universitetet dhe akademinë pa përjashtim, në mënyrë që të instalohen praktikat më të mira në këtë kontekst”, përfundoi Aliu.
Sot, publicisti Shkëlzen Gashi ka deklaruar se lidhja e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, të udhëhequr nga Liburn Aliu, dhe institucioni privat i arsimit universitar, UBT, përbën shkelje të premtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Drejtori ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare, ADMOVERE, pretendon se ministri Aliu është gjendur në “konflikt të pastër interesi”.
“Kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit. Por, kjo është edhe test për Kryeministrin Albin Kurti”, tha Gashi.
Megjithatë, ministri Aliu njoftoi sot nënshkrimin e një marrëveshje mes Ministrisë së Mjedisit dhe Kolegjit UBT.
“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore etj”, tha ai.
Ministri Aliu ka shërbyer si profesor në Kolegjin Privat UBT, bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Aliu ka përfituar pagë prej 1,128 eurove nga UBT. /Paparaci.com
