Të fundit

Ministri Murati nënshkruan marrëveshje 50 milionëshe me Bankën Botërore

Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Anna Bjerde, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen për Financim për Operacionin e Financimit të Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme.

Ky financim, në shumën prej 50.6 milionë euro mbështet prioritete të përzgjedhura shtetërore për periudhën 2021-2025, duke përfshirë reforma për të mbështetur transparencën fiskale, zhvillimin e sektorit privat, dhe forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore në vazhdën e krizës së COVID-19.

“Kosova ka nevojë për rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme, që krijon vende pune dhe nxitet nga produktiviteti më i lartë, dhe reformat e mbështetura nga ky operacion do ta mbështesin Kosovën në përforcimin e rimëkëmbjes pas COVID-19 dhe përmirësimin e jetës së njerëzve të saj”, tha Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Siç thuhet në njoftimin e Bankës Botërore dërguar mediave, Ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të fuqishme në vitin 2021, mbështetur nga rikthimi i kërkesës së brendshme dhe rritja rekorde e eksporteve, edhe pse rritja pritet të ngadalësohet këtë vit.

“Në këtë kontekst, mekanizmi DPF do të mbështesë masat që synojnë përmirësimin e transparencës fiskale dhe rritjen e qëndrueshmërisë fiskale në periudhë afatmesme, në funksion të përpjekjeve të Qeverisë për adresimin e boshllëqeve të konsiderueshme zhvillimore dhe promovimin e uljes më të shpejtë të varfërisë”, thuhet në kumtesën e Bankës Botërore.

Tutje u tha se DPF-ja gjithashtu do të mbështesë një sërë masash për të përmirësuar mjedisin dhe kushtet për zhvillimin e sektorit privat, rëndësia e të cilit u pa edhe më shumë gjatë pandemisë.

“Sektori privat i Kosovës nuk përmbush pritjet për sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së produktivitetit. Ndër faktorët kufizues janë barra dhe pasiguria rreth kuadrit rregullativ, numri i lartë i kërkesave për licencim dhe inspektime biznesi, furnizimi jo i duhur me energji, dhe kuadri i paplotë ligjor për tregtinë elektronike, përfshirë këtu identifikimin elektronik”.

“Qëndrueshmëria dhe gjithëpërfshirja e rritjes ekonomike në Kosovë është gjithashtu e rrezikuar ndjeshëm nga sfidat urgjente mjedisore dhe ndryshimet klimatike. Kosova ka përjetuar thatësira dhe vërshime më të shpeshta dhe më të rënda.

Prodhimi i energjisë, i varur shumë nga lëndët djegëse fosile, dhe menaxhimi jo i duhur i mbeturinave, kontribuojnë në ndotjen e madhe të ajrit dhe degradimin e mjedisit dhe ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve të vendit, duke rrezikuar perspektivën afatgjate të rritjes ekonomike të Kosovës”.

Po ashtu, në komunikatën e Bankës Botërore u bë e ditur se për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për një tranzicion të gjelbër, DPF do të mbështesë gjithashtu reformat mjedisore në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë dhe menaxhimin e mbeturinave.

“FPZH financohet me një kredi koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka një kohëzgjatje (maturim) prej 25 vitesh, me fillim të shtyer pagese (grejs-periudhë) prej 5 vjetësh. Projekti do të kordinohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, përfundon komunikata e Bankës Botërore.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci