Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se se është shumë me rëndësi që po përmbyllet marrëveshja e MCC-së që do të nënshkruhet nga delegacioni i Kosovës në Uashington bashkë më këtë korporatë.
Megjithatë, ai tha se ky projekt ka filluar më herët nga qeveritë e kaluara, por edhe në kohën e tij sa udhëhiqet me ekzekutivin.
Mes tjerash, ai foli edhe për “dy fatkeqësitë” që sipas tij, kryeministri Albin Kurti ia ka sjellë Kosovës.
Njëra sipas tij është mos-ardhja e gazit amerikan në Kosovë dhe refuzimi i një termocentralit me qymyr, që ai e quan refuzim radikal të partisë pushtet.
“E kemi bërë një punë të çmuar për këtë marrëveshje, grant për Kosovën. Ne kemi shpresuar që këto pare, 200 milionë dollarë amerikanë do të shkojnë në gazsjellësin Shkup-Prishtinë. Ardhja e gazit në Prishtinë do ta ndryshonte gjendjen energjetike. Na vjen keq që s’është kështu, është humbje e madhe, por e rëndësishme që paratë po vinë në Prishtinë”, u shpreh deputeti opozitar.
“Po të sjellshim gazin në Prishtinë, me paret e Amerikës do të fitonim një burim alternativ strategjik dhe njëkohësisht do të kishim një burim energjie në Kosovë. Është një investim i rëndësishëm. Nuk dojmë me zbeh investimin e baterive, por është fatkeqësi për ne, e dyta që na vjen nga Kurti, e para ishte refuzimi në një termocentral me qymyr, refuzim radikal i tyre. Ishte krejtësisht rezultat i qasjes së LVV-së, investitori ishte mjaft entuziast. Por refuzimi radikal i LVV-së e dekurajoji investitorin, që rezultoi me njoftimin nga Qeveria Kurti që nuk e vazhdon këtë projekt”.
Ai tha se këto janë ngjarje tragjike për Kosovën që ia ka shkaktuar Kurti.
“Investimin e termocentralit 500 megavat Kosova e Re do ta sillte Kosovën në selamet siç thotë populli. Unë e pyeta në parlament a i ki ra në pishman, e pabesueshme që s’i ka ra pishman”, shtoi ai në Rubikon të Klan Kosova.
