Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka përdorur gjuhë skandaloze, seksiste ndaj grave në fjalimin e tij në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten.
Në një debat për marrëveshjen e Qeverisë me MCC-në, Berisha tha se qeveritarët po donë t’i punësojnë gratë.
Por, deputeti i PDK-së, për këto gra tha se mund të qëllojnë edhe “burra të fortë”.
“Duhet uruar Kosovën për këtë arritje edhe juve Qeverisë për fasadimin që po i bëni duke planifikuar t’i punësoni edhe gratë në fushën e energjisë. Do zoti që ndonjëri që e ka gruan shumë burrë të fortë atje edhe gjen shpëtim”, ka thënë Berisha në Kuvend.
Ndaj tij, reagoi ashpër deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Isufi.
Isufi pyeti se çka është nënkuptoi Berisha kur tha “dikush që e ka gruan shumë burrë të fortë?’.
“Desha ta bëj një reagim të shkurtër lidhur me fjalën e deputetit të PDK-së, Hisen Berisha. E citoj një pjesë kur thotë ‘dikush që e ka gruan shumë burrë të fortë’, a ka mundësi të na tregojë çfarë do të thotë kjo”, ka thënë Isufi.
Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, luti deputetët që të mos lëshohen në përdorimin e terminologjisë fyese.
“Nuk e paskam dëgjuar këtë pjesë të cilës ju referuara deputetja Jusufi. Ju lus edhe një herë të nderuar deputetë ta mbajmë fjalorin parlamentar. Të mos lëshohemi në përdorimin e terminologjisë që është diskriminuese, fyese, ofenduese”, ka thënë Konjufca.
