Ende nuk kanë dalë shumë detaje nga bisedimet disa orëshe në Bruksel, por ajo që pretendohet nga Serbia është se Beogradi ka dalë me dy propozime dhe se Prishtina i ka refuzuar të dyja.
Siç pretendoi dje drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i pari i referohej dokumenteve të hyrje-daljeve, ndërsa i dyti targave.
Kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun ka thënë se pala kosovare ka insistuar në diskutime lidhur me marrëveshjen finale që në qendër do të kishte njohjen reciproke, transmeton Reporteri.net.
Kjo tha Drecun se është e papranueshme për Serbinë.
Madje Drecun thotë se edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill vlerësoi qëndrimin e palës serbe në dialog.
“Në anën tjetër, nuk ka pasur ndonjë vlerësim pozitiv për sjelljen e Prishtinës nga ambasadori Hill dhe mendoj se ky është një mesazh i mirë dhe se Serbia duhet të vazhdojë të punojë në të në periudhën e ardhshme, sepse kjo do të thotë që SHBA-të e kuptojnë thelbin e problemit, e kjo është sjellja e Kurtit, pra e palës prishtinase”, theksoi Drecun për RTS.
