Më 25 korrik të vitit 2011 kur Qeveria e atëhershme e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, çoi trupat në veri, Lëvizja Vetëvendosje e kishte mbështetur një veprim të tillë.
Arsyeja sipas komunikatës së asaj kohe nga Lëvizja Vetëvendosje ishte shkaku i interesit nacional të Kosovës, raporton Paparaci.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës në Jarinjë dhe Bërnjak.
Por, ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.
Madje, në njoftimin e LV-së kërkohej që Qeveria e Kosovës mos të zmbrapsej.
Lëvizja Vetëvendosje më 2011 thoshte se vendimi i Qeverisë Thaçi për ta zhvilluar aksionin në veri të vendit është i kuptueshëm, i arsyeshëm dhe i drejtë.
Për këtë çështje, ka bërë një reagim edhe aktivisti Rron Gjinovci. Sipas tij, kështu duhet të veprojë edhe opozita e 2022-s, pavarësisht dallimeve partiake.
Megjithatë, deri më tani asnjë nga partitë opozitare nuk i ka ofruar mbështetje Qeverisë Kurti.
AAK-ja e Ramush Haradinajt i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti që ta ‘ndalë vetë shkatërrimin e vendit, ose do ta ndalin ata”.
Kurse, dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja kanë thënë se rreziku i përshkallëzimit në veri është evident dhe se “politikat populiste i sjellin Kosovës dëme afatgjate”.
