Ish i burgosuri për vrasje në tentativë, Bashkim Mulolli, tash dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë së Shtetit në çështjen penale kundër Lavdim Krasniqit, ka thënë se ka takuar tri herë Naim Qelajn, Avokatin e Popullit.
Në një bisedë telefonike për Paparacin të mërkurën, Mulolli tha se ka realizuar tri takime në zyrën e Qelajt.
“Ai [Naim Qelaj] është munduar të më ndihmojë në fillim. Kam qenë tri herë në zyrën e tij”, ka thënë Mulolli për Paparacin.
Emri i Naim Çelajt, ish-zëvendësministrit i Drejtësisë, është përmendur në video-incizimin e skandalit korruptiv të Lavdim Krasniqit, ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial.
Në videoincizimin të cilin e ka publikuar Paparaci të mërkurën, ish i burgosuri Mulolli ia kujton Krasniqit një rast kur “ia ka çuar Naim Çelën”, derisa vazhdon të flasë për paratë që ia ka marrë Ardian Krasniqi, shoferi i Lavdim Krasniqit.
“Po pe di unë që e ka lëshu se qatëherë e kërcënova unë prej burgu… e kërcënova, tha shko te Lavdimi hiç mos ta nin se kom me e kry unë edhe me atë… që ta çova unë Naim Çelën… m’i ka marrë paret o vëlla!”, i thotë Mulolli, Krasniqit.
