Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin evropian.
Në këtë letër sipas ZKM-së, ata kanë “mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian”, transmeton Paparaci.
Letra sipas njoftimit është dërguar të premten.
Kjo treshe evropiane po ashtu, i ka kërkuar Kurtin zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Megjithatë, ata nuk e kanë përmendur njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë në këtë letër.
“Ne mirëpresim deklarimet e juaja të fundit publike, ku keni konfirmuar se jeni të gatshëm ta pranoni propozimin evropian për ‘marrëveshje bazë’. Ne besojmë se tash është nevojë urgjente për të krijuar rrugën para me synim për të konkluduar këtë marrëveshje dhe të siguroheni implementimin mbi bazat e tekstit që jeni pajtuar. Në konkludimet e veta më 9 shkurt, Këshilli Evropian ka shprehur përkrahjen për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës ta implementojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet e marra në dialog, përfshirë edhe marrëveshjet nga vitet 2013 dhe 2015 për krijimin e një Asociacioni/Komuniteti të komunave me shumicë serbe”, thuhet në letër.
“Hapat e implementimit që qëndrojnë para nesh duhet të pasqyrojnë këtë qasje politike, duke siguruar se si ‘Marrëveshja Bazë’ dhe po ashtu obligimet e mbetura nga dialogu të adresohen në mënyrë adekuate dhe pa vonesa. Ne shikojmë para që të dyja të fliten në takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel më 27 shkurt 2023. Ne llogarisim në lidershipin e juaj që në mënyrë konstruktive të përpiqeni për një zgjidhje të shpejtë dhe implementim të kësaj marrëveshje. Ne jemi të bindur se është e rëndësisë së madhe për përfitimet e përgjithshme për qytetarët e juaj, për një zhvillim paqësor dhe prosperues të rajonit dhe për avancim të perspektivës evropiane të shtetit tënd”, përfundon letra e dërguar në adresë të Kurtit.
