Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar, i sponsorizuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka dështuar të kalojë në lexim të parë në shqyrtim të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Deputetët e shumicës parlamentare janë ndarë në qëndrime pro dhe kundër Projektligjit, i cili synon të rregullojë kujdesin shëndetësor dhe procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor.
Projektligji synon të realizojë dhe këshillojë për këto procedura -të fertilizimit të asistuar mjekësor – si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatëzani e dëshiruar me rrugë natyrore.
Sipas projektligjit, qelizat riprodhuese të dhuruara mund të përdoren vetëm në këto raste: “Kur në ekzaminimet mjekësore konstatohet se te njëri bashkëshort nuk ekzistojnë qelizat riprodhuese ose janë jofunksionale; kur ekziston mundësia e bartjes së sëmundjes trashëguese nga prindërit tek fëmija; kur femra është e pamartuar fertile”.
Neni 30 i Projektligjit, parasheh ndalesat për qelizat riprodhuese. Sipas paragrafit 3 të këtij neni, është i ndaluar përdorimi i qelizave riprodhuese të një personi për lindjen e më shumë se tre fëmijëve te një grua.
“Ndalohet përdorimi i qelizave riprodhuese të një dhuruesi, te çifti dhe te femra e pamartuar atëhere kur ato shfrytëzohen për lindjen e më shumë se tre fëmijëve të gjallë te e njejta femër”, thuhet në projektligj.
Po ashtu, ligji ndalon shërbimin e lindjes së fëmijës për tjetrin përmes nënës surrogate.
As në të dytën herë që është hedhur në votim të enjten, nuk kaloi projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar, i propozuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kjo pasi 10 deputetë të shumicës parlamentare abstenuan të njëjtin projektligj. Megjithatë, pro këtij projektligji ishin 43 deputetë. Projektligji pritet të shqyrtohet në një seancë të radhës të kuvendit.
