Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së që po akuzohet në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë ka përmendur edhe burgosjen e tij, dënimin e dyfishtë dhe torturat që kishte përjetuar në burg.
Ai është shprehur se këmbët dhe duart i kishte gjithmonë të enjtura nga rrahjet, shkruan Paparaci.com.
“Në vitin 1981 për arsye të pakënaqësive të mëdha rinia e Kosovës organizoi demonstrata që njihen si pranvera shqiptare e vitit 1981. Ky ishte një mobilizim i përgjithshëm i njerëzve në Kosovë për të kërkuar të drejta të barabarta me kombet e tjera që përbënin federatën e Jugosllavisë. Këto demonstrata u shtypën me dhunë nga forcat policore e ushtarake të atij vendi. Edhe të dhënat zyrtare të demonstratave të vitit 1981, tregojnë që 11 të rinj u vranë, 235 u plagosën dhe qindra-mijëra u arrestuan dhe më vonë do të dënoheshin. Ashtu siç u përdor dhuna fizike dhe psiqike ndaj të burgosurve politikë, u ushtrua dhunë e tmerrshme edhe ndaj meje, gjatë dy proceseve hetuese që janë zhvilluar ndaj meje në vitet 1981-82, kam përjetuar tmerret që nuk përshkruhen me fjalë, duart dhe këmbët i kisha gjithmonë të ënjtura nga rrahjet.”, tha Krasniqi.
Ai ka treguar se ka qenë i burgosur për 10 vite dhe se kur ka dalë nga burgu, nuk ka qenë dalje në liri, por në burgun e 2 milionë shqiptarëve që quhej Kosovë.
“Pas më shumë se 10 vite vuajtje dënime, më 23 korrik të vitit 1991 u lirova nga burgu i Novi Sadit, por kjo nuk nënkuptonte daljen në liri, populli shqiptar i Kosovës ishte populli më i robëruar në Evropë, ishte populli i ndaluar, siç e përkufizoi intelektuali i madh shqiptar, akademiku Qosja, pra nga muret e ndërtesave të burgut të Novi Sadit që ishte i mbushur plot me shqiptarë, dola në burgun me 2 milionë shqiptarë që quhej Kosovë, hyra në burgun Kosovë në kohën kur regjimi i Slobodan Millosheviqit kishte vënë në zbatim politikën e apartheidit si fazë paraprake e gjenocidit të planifikuar kundër shqiptarëve.”, tha Krasniqi.
Ai ka përmendur se janë ushtruar tortura ndaj tij dhe asnjë prokuror, asnjë hetues e asnjë gjyqtar i ish-jugosllavisë nuk ka qenë objekt kritike në shkrimet e tij.
“Pas dy proceseve, më dënuan dy herë. Herën e parë në vitin 1981 më dënuan me 14 vjet burg dhe herën e dytë në vitin 1982 me 15 vjet burg. I përmenda torturat që janë ushtruar ndaj meje për të nënvizuar një fakt të kundërshtueshëm, asnjë hetues, asnjë Prokuror dhe asnjë gjyqtar i ish-jugosllavisë të cilët ishin përgjegjës për torturat fizike dhe psiqike që përjetova gjatë asaj kohe, nuk kanë qenë as objekt kritike në shkrimet e mija, i kam lënë të qetë t’i brejë ndërgjegja për veprimet e tyre kriminale.”, tha Krasniqi. /Paparaci.com/
