Natën kur Kosova dhe ushtria e saj u përjashtua nga “Defender Europe 23”, një zyrtar i lartë amerikan kishte njoftuar shtyrjen e vizitës së planifikuar pas disa ditësh në Prishtinë.
Të dy këto, si ndëshkim për “dorën” që ia dha Qeveria e Kosovës përshkallëzimit në dhunë të situatës në veri të vendit.
Ndihmëssekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, më 3 qershor 2023 do të ateronte për vizitë zyrtare në Prishtinë.
Vetëm pak ditë para nisjes drejt Kosovës, ku do të qëndronte deri më 7 qershor 2023, Robinsoni anuloi udhëtimin duke e shtyrë vizitën e tij. Krejt kjo shkaku i gjendjes që u krijua në veri, e që çoi Kosovën në ndëshkime nga SHBA-ja, aleati kryesor i vendit.
Se situata në veri të Kosovës – e përshkallëzuar qysh më 26 maj 2023 kur kryetarët e tre komunave veriore, nën shoqërimin e Njësisë Speciale të Kosovës provuan të hyjnë në objektet komunale – ka qenë arsyeja e shtyrjes së vizitës së zyrtarit të lartë të administratës së Bidenit e ka konfirmuar të enjten vet ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
“Për shkak të krizës aktuale në veri të Kosovës, Ndihmës Sekretari Robinson e shtyu udhëtimin e tij në Kosovë. Ne po u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha për Reporterin një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Në vizitën e tij 4 ditorë në Prishtinë, ndihmëssekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, kishte paraparë një sërë takimesh me shefat e shtetit dhe qeveritarë dhe vizita në institucionet e ndryshme të sigurisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
Siç ka marrë vesh ky medium, Robinsoni në fillim të kësaj jave, në agjendë kishte edhe një takim me Kryeministrin Albin Kurti. Ai po ashtu do të pritej në zyrën e saj edhe nga Presidentja Vjosa Osmani.
Në agjendën e takimeve Robinsoni kishte të paraparë edhe takim me Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ndërsa i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, zyrtari i lartë amerikan planifikonte të vizitonte edhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Ardhja e Robinsonit në Kosovë u shty me një “njoftim ndëshkues” nga erdhi nga SHBA-ja me 29 maj 2023, ku përveç se bllokoi vizitat zyrtare të qeveritareve mes Prishtinës e Washingtonit, e la Kosovën jashtë pjesëmarrjes “Defender Europe 23” – stërvitjes ushtarake e përbashkët shumëkombëshe drejtuar e Komanda Evropiane e SHBA-së “Defender Europe”.
