Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po raporton për situatën në veri dhe kidnapimin e policëve të Kosovës nga policët serbë në veri të vendit. Ndër të tjera, ai ka dhënë detaje lidhur me kidnapimin e tyre dhe ka kërkuar përgjegjësi nga KFOR-i për këtë çështje.
Kurti ka dhënë detaje edhe nga kidnapimi i tre policëve të Kosovës brenda territorit të Kosovës. Ai ka thënë se policët kanë qenë rreth 670 metra brenda në territorin e Kosovës.
Kurti del me detaje: Policët u kidnapuan me aksion special, ja kush e kreu
Kurti në fjalën e tij është shprehur se KFOR-i ka pasur përgjegjësi mbrojtjen e kufirit në pjesën veriore të vendit me policinë e Kosovës dhe sipas tij si pasojë e marrëveshjes se ish-kryeministrit Hashim Thaçi me NATO-n.
Kurti u shpreh se është shkelur marrëveshja e Kumanovës, më saktësisht neni katër me rastin e kidnapimit të policëve, ndërsa u shpreh se Serbia ka bërë shkelje flagrante të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës e gjithashtu ka konsumuar vepër penale ndërkombëtare.
“Se a duhet të shkojmë në një drejtim të tillë ne ende po presim të shohim sjelljen e Serbisë dhe reagimin e faktorit ndërkombëtar. Mbrojtja e vijës kufitare në veri është përgjegjësi e KFOR-it dhe policisë së Kosovës, në rastin kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e ruajtjes së vijës kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it, kjo për shkak të mandatit ndërkombëtar të NATO-s dhe përgjegjësisë që ajo ka marrë kur e dakordoi një marrëveshje me ish-kryeministrin Thaçi kur e ndaloi shkuarjen e ushtrisë tonë në atë pjesë të vendit. Ne ende jemi duke pritur nga KFOR-i të marr përgjegjësinë efektive për ushtrimin e detyrën e mbrojtjes, duke urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar dhe ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë dhe shkeljen e pikës 4 të marrëveshjes së Kumanovës.”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se KFOR-i duhet të tregojë nëse do të vazhdojë heshtjen dhe kështu sipas tij do të heqë dorë nga një përgjegjësi ndërkombëtare.
“KFOR-i nuk do duhej të jetë i heshtur ndaj një sulmi kidnapues që e kishte mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, atëherë një gjë të tillë le të na thotë hapur dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që do ishte dashur ta përmbushë efektivisht. Agresioni kidnapues i ushtrisë së Serbisë në territorin e Kosovës është bërë si hakmarrje e sundimit të ligjit. Një polici që me aq shumë sukses e arreston një nga kapot e krimit ka ngjallur edhe panik edhe hakmarrje. Ajo që kemi parë dje është hakmarrje në një anë dhe agresion në anën tjetër. Krimi i hakmarrjes si një instrument ndaj veprimeve të sundimit të ligjit është jo vetëm mendësi barbare mesjetare por tregues i orientimit të udhëheqjes së Serbisë kah verilindja, kah despotët e jo kah BE-ja e SHBA-të.”, tha Kurti.
Kurti u shpreh se ka biseduar edhe me emisarin amerikan Gabriel Escobar dhe ambasadorin amerikan Jeff Hovenier dhe po pret për deklarimin shpjegues të KFOR-it.
“Kam pasur biseda telefonike me emisarin amerikan Gabriel Escobar dhe me ambasadorin Jeff Hovenier dhe këtu po vi nga një takim i përbashkët më të gjitha ambasadorët, zëvendësambasadorët, shefat e misioneve në Kosovë që gjerë e gjatë ua kemi shpjeguar për ditën e sotme dhe të djeshme dhe tash kur po bëhen 30 orë nga kidnapimi i policëve dhe ende nuk e kemi deklaratën shpjeguese të KFOR-it, kam shprehur edhe protestën time për këtë heshtje, por edhe kërkesën për reagim urgjent.”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, në vendin e ngjarjes janë gjetur dëshmi “të qëllimshme”, pasi Serbia donte që të dihej se kanë qenë aty në atë kohë.
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmët e qizmeve, të veturave pa targa dhe prangat e plastikës të prangave serbe. Ata kanë dashur t’i lënë gjurmët publikisht. Bëhet fjalë për një agresion me arrogancë. Nuk janë përpjekur t’i fshehin gjurmët e krimit. Synimi i tyre ka qenë të dihet se ishin aty në atë kohë.”, tha Kurti.
“Ky është edhe agresion ndaj republikës, por edhe ndaj KFOR-it e NATO-s. Ne nuk e legjitimojmë hakmarrjen si formë qeverisëse e t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë mendësisë së milicisë së Vuçiqit, unë jam interesuar për deeskalim të situatës në veri, këtë e kam dëshmuar edhe me planin pesëpikësh, por deeskalimi duhet të ndodh në favor të normalizimit të plotë të marrëdhënieve e jo në dëm të Kosovës e nënshtrimit ndaj milicisë fashiste.”, tha gjithashtu ai. /Paparaci.com/
