Ish-këshilltarit politik i ish-zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj, Luan Malokut, ka pranuar fajësinë për veprën penale mosraportim të pasurisë.
Maloku po akuzohet se gjatë vitit 2019, nuk ka deklaruar saktë të hyrat dhe mëditjet si ish-këshilltar politik, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një deklarim të tillë rreth fajësisë i akuzuari Maloku e ka bërë pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar me pajtimin e palëve.
“E pranoj fajësinë”, tha ai.
Mes të tjerash i akuzuari Maloku ka thënë se kishte qenë lëshim dhe gabim nga ana e tij, pasi nuk e kishte deklaruar rritjen e pagës 100 %, rritje kjo sipas tij kishte ndodh me vendim të Qeverisë në atë kohë.
Tutje, i njëjti ka thënë se edhe paga dhe mëditja ishte bërë direkt përmes bankës nga Thesari i Shtetit në konton e tij,
Mbrojtësja e të akuzuarit Maloku, avokatja Alberina Foniqi–Bojaj ka thënë se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit saj, pasi që është bërë pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtjen.
Po ashtu e njëjta i ka kërkuar gjykatës që me rastin e shqiptimit të dënimit, pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese dhe ndaj të mbrojturit saj t’i shqiptohet një dënim sa më i butë i paraparë me Kodin Penal të Kosovës.
Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua as nga ana e prokurorit Besnik Jakupi pasi që sipas tij, ishte bërë në mënyrë vullnetare dhe në konsultim me mbrojtën. Andaj prokurori i ka propozuar gjykatës që ta aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Maloku, ashtu që të njëjtin ta shpallë fajtorë dhe ta dënoj sipas ligjit.
Më pas pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Maloku u aprovua nga gjykatësi Eroll Gashi.
Shpallja aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale pritet të bëhet më 7 gusht 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 9 mars 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Luan Maloku po akuzohet se në cilësinë e ish-këshilltarit politik në zyrën e Kryeministrit të Kosovës, përkatësisht zëvendëskryeministrit ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafin 1.1, të Ligjit për deklarim, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik.
Siç thuhet në aktakuzë i akuzuari Maloku ka qenë i detyruar që ta deklaroj pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, përmes formularit për deklarimin e pasurisë, ashtu që me rastin e deklarimit me datë 8 korrik 2020, për vitin paraprak 1 janar deri më 31 dhjetor 2019, nuk ka deklaruar saktë të hyrat dhe mëditjet si ish-këshilltar politik në shumën prej 15 mijë e 919 euro e 22 centë ka deklaruar vetëm 6 mijë e 720 euro (560 euro në muaj), të cilën pagë dhe mëditje nuk e ka deklaruar në tërësi i akuzuari Maloku edhe pse ka qenë i detyruar ta deklaroi.
Me këtë, Maloku po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
